
Një incident i rëndë është regjistruar gjatë natës në Emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, ku një mjek dyshohet se është sulmuar fizikisht nga familjari i një pacienti. Ngjarja ka ndodhur më 1 nëntor, rreth orës 00:40 kur në emergjencë kishte kërkuar ndihmë mjekësore një person në gjendje të dehur, i shoqëruar nga djali i tij.
I dyshuari është identifikuar si E.J, 26-vjeçar, i cili dyshohet se ka shfaqur pakënaqësi me mënyrën e trajtimit të prindit të tij dhe ka filluar të ofendojë personelin shëndetësor.
Pavarësisht kërkesave të stafit mjekësor për t’u qetësuar dhe për t’u larguar nga hapësira ku po trajtohej pacienti, situata dyshohet se ka eskaluar në dhunë fizike. Më pas ai e ka goditur me grusht në anën e majtë të fytyrës mjekun F.F., 32-vjeçar, i cili ishte duke kryer detyrën e tij.
Lidhur me rastin ka ndërhyrë një person i pranishëm i cili ndodhej në ato momente në vendin e ngjarjes ku i cili ka arritur ta largojë të dyshuarin nga mjeku.
Sipas të dhënave fillestare, mjeku nuk ka pasur lëndime trupore dhe nuk ka kërkuar trajtim mjekësor.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rast për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, ndërsa është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.Lidhur me rastin po vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e këtij sulmi.


