Reagon Ministrja e Drejtësisë Donika Gërvalla, lidhur me vrasjen e dyfishtë në Gjilan: Familja duhet të jetë streha më e sigurt e njeriut

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar pas rastit tragjik që ndodhi sot, më 01.11.2026, në fshatin Demiraj të Gjilanit, ku një 27-vjeçar dhe një foshnje 3-muajshe janë gjetur të vdekur në shtëpinë e tyre. Gërvalla tha se kjo ngjarje i ka tronditur të gjithë.

Siç shtoi Gërvalla, familja duhet të jetë streha më e sigurt e njeriut, e çdo ngjarje që e cenon këtë siguri, sipas saj duhet të kërkojë vëmendje dhe reagim të menjëhershëm institucional.

“Në këto momente, është e domosdoshme që rrethanat e këtij rasti të hetohen plotësisht dhe pa vonesa, në mënyrë që e vërteta të zbardhet dhe institucionet përgjegjëse të ndërmarrin veprimet që kërkon ligji.”, shkroi ajo në Facebook më 01.11.2026.

Ndër të tjera, Gërvalla u shprehu ngushëllime familjarëve dhe të afërmve të viktimave. Policia e Kosovës ka arrestuar një 65-vjeçar lidhur me ngjarjen e rëndë që ka ndodhur sot në mëngjes në fshatin Demiraj të komunës së Gjilanit.

Një 27-vjeçar dhe një foshnje 3-muajshe janë gjetur të vdekur në shtëpinë e tyre në Demiraj. Policia konfirmoi se në ora 08:47 ka marrë informatën për dy persona të vdekur në një shtëpi në Demiraj. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë ekipet e Policisë, Prokurorisë dhe ato mjekësore.

Ekipi mjekësor ka konstatuar në vendin e ngjarjes së viktimat ishin të pajetë. Në orët e pasdites, Policia njoftoi se rasti është ricilësuar nga vdekje e dyshimtë në vrasje e rëndë dhe se një person, babai i 27-vjeçarit, është arrestuar si i dyshuar.

Artikuj të tjerë

Back to top button