
Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë natës në pompën e derivateve “Patroni”, në fshatin Siboc të Podujevës, ku tre persona të maskuar dyshohet se kanë kryer grabitje nën kërcënimin e thikës. Rasti ka ndodhur të hënën, rreth orës 03:30, ndërsa viktimë e kësaj ngjarjeje ka qenë një 58-vjeçar punëtori i pompës.
Sipas informatave, tre persona me fytyra të mbuluara janë shfaqur në pompë, ku dy prej tyre kanë vënë nën kontroll burrin, duke e kërcënuar me një mjet të mprehtë.
Gjatë kohës kur viktima mbahej nën kërcënim, bashkëpunëtori i tyre ka hyrë në objekt dhe dyshohet se ka marrë rreth 200 euro nga lokali.
Të dyshuarit nuk janë mjaftuar vetëm me paratë e biznesit. Ata, sipas deklarimit të viktimës, i kanë marrë edhe 250 deri në 300 euro që ai i kishte në xhep. Në total, vlera e parave të grabitura llogaritet të jetë rreth 470 deri në 500 euro.
Pas grabitjes, tre personat janë larguar në këmbë, në drejtim të pjesës së pasme të pompës së derivateve.
Ndërkohë, lidhur me rastin kanë nisur hetimet të cilat po vazhdojnë me qëllim të identifikimit dhe kapjes së personave të dyshuar.



