Rregullore e re e çmimeve në “Prishtina Parking” këto janë ndryshimet

Një rregullore e re për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve të “Prishtina Parking” parasheh ndryshime të rëndësishme në mënyrën e menaxhimit të parkingjeve publike, tarifat për parkim, të drejtat e banorëve rezidentë, si dhe gjobat për kundërvajtësit.

Sipas Aneksit 1 të rregullores, në Zonën I, e cila përfshin qendrën e qytetit, shoferët do të paguajnë 1.40 euro për një orë parkim. Parkimi ditor, deri në 24 orë, do të kushtojë 20 euro

Ndërkaq, për shoferët që kanë nevojë për parkim më afatgjatë, parashihen edhe bileta javore prej 40 eurosh, ndërsa bileta mujore kushton 140 euro. E njëjta kategori mund të pajiset edhe me biletë vjetore prej 1 mijë e 400 eurosh.

Sa u përket parkingjeve me laura në Zonën I, tarifa për një orë është gjithashtu 1.40 euro. Parkimi ditor kushton 10 euro, ndërsa kjo biletë aktivizohet automatikisht pas orës së shtatë të qëndrimit në parking.

Parkimi javor në këto hapësira kushton 30 euro, ndërsa ai mujor 84 euro. Për shfrytëzuesit që zgjedhin pagesën vjetore, tarifa është 840 euro.

Çmimet në Zonën II

Në Zonën II, e cila përfshin hapësirën nga përfundimi i zonës qendrore deri përgjatë dhe brenda unazës së brendshme të kryeqytetit, tarifat janë më të ulëta.

Vizitorët do të paguajnë 70 centë për një orë parkim, ndërsa parkimi ditor, deri në 24 orë, kushton 10 euro.

Bileta javore për këtë zonë është 22 euro, ndërsa bileta mujore kushton 42 euro. Për të njëjtën kategori parashihet edhe tarifa vjetore prej 420 eurosh.

Në parkingjet me laura të Zonës II, një orë parkim kushton 70 centë, ndërsa parkimi ditor është shtatë euro. Sipas dokumentit, bileta ditore aktivizohet automatikisht pas orës së dhjetë të qëndrimit në parking.

Parkimi javor në këto hapësira kushton 22 euro, ndërsa ai mujor 42 euro ose 420 euro për një vit.

Tarifat në Zonën III

Zona III përfshin hapësirën nga përfundimi i unazës së brendshme deri në kufijtë e zonës urbane të Prishtinës.

Në këtë zonë, një orë parkim për vizitorët kushton 40 centë, ndërsa parkimi ditor deri në 24 orë është pesë euro.

Bileta javore kushton 12 euro, ndërsa ajo mujore 30 euro. Për parkim vjetor, tarifa e përcaktuar është 300 euro.

Në parkingjet me laura të kësaj zone, një orë parkim kushton 30 centë, ndërsa parkimi ditor është tre euro. Edhe në këtë rast, bileta ditore aktivizohet automatikisht pas orës së dhjetë të qëndrimit.

Parkimi javor në këto hapësira kushton 12 euro, ndërsa ai mujor 30 euro ose 300 euro për një vit.

Sa do të paguajnë banorët rezidentë për veturat e tyre?

Një pjesë e rëndësishme e rregullores lidhet me trajtimin e banorëve rezidentë, të cilëve u ofrohet mundësia e parkimit të privilegjuar në hapësirat publike të adresës ku jetojnë.

Për automjetin e parë, banorët rezidentë në të tria zonat lirohen nga pagesa e parkimit, por duhet të paguajnë një tarifë vjetore për regjistrim dhe mbulimin e shpenzimeve administrative dhe mirëmbajtjen e sistemeve.

Kjo tarifë është 20 euro në Zonën I dhe II, ndërsa 10 euro në Zonën III.

Për automjetin e dytë, tarifat dallojnë sipas zonës. Në Zonën I dhe II, banorët do të paguajnë 20 euro në muaj ose 140 euro në vit. Në Zonën III, çmimi është 10 euro në muaj ose 60 euro në vit.

Ndërkaq, për automjetin e tretë, tarifa në Zonën I është 63 euro në muaj ose 630 euro në vit. Në Zonën II, banorët do të paguajnë 42 euro në muaj ose 420 euro në vit, ndërsa në Zonën III, 20 euro në muaj ose 120 euro në vit.

Për automjetin e katërt dhe çdo automjet tjetër shtesë, çmimet janë edhe më të larta.

Në Zonën I, tarifa është 140 euro në muaj ose 1 mijë e 400 euro në vit. Në Zonën II, 98 euro në muaj ose 980 euro në vit, ndërsa në Zonën III, 40 euro në muaj ose 400 euro në vit.

Rregullorja përcakton gjithashtu tarifa të veçanta për automjetet në pronësi të bizneseve dhe automjetet e punonjësve.

Për automjetet e bizneseve, tarifa mujore është 63 euro në Zonën I, 45 euro në Zonën II dhe 25 euro në Zonën III. Pagesa vjetore për këto kategori është përkatësisht 630, 450 dhe 250 euro.

Për automjetet e punonjësve, tarifa është 42 euro në muaj ose 420 euro në vit në Zonën I, 28 euro në muaj ose 280 euro në vit në Zonën II, si dhe 30 euro në muaj ose 300 euro në vit në Zonën III.

Rregulla të veçanta për parkingjet me laura dhe regjistrimin e automjeteve

Dokumenti përcakton se çdo qytetar, punëtor apo person juridik ka të drejtë të regjistrojë një automjet për shfrytëzimin e parkingjeve në zonën ku banon, punon ose ushtron veprimtarinë.

Regjistrimi i automjetit të dytë lejohet vetëm pasi të përfundojë procedura e regjistrimit të automjeteve të para për të gjitha njësitë banesore dhe personat juridikë të zonës përkatëse. E njëjta procedurë vlen edhe për regjistrimin e automjetit të tretë.

Gjatë këtij procesi, përparësi kanë banorët rezidentë dhe pronarët e lokaleve afariste.

Sa u përket parkingjeve rezidenciale me laura, rregullorja parasheh se vendosja e tyre mund të iniciohet nga Prishtina Parking në bashkëpunim me banorët, me kusht që paraprakisht të sigurohet pëlqimi i së paku 80 për qind të banorëve rezidentë të lagjes përkatëse.

Një tjetër dispozitë e rëndësishme është periudha prej 15 minutash, e cila përcaktohet si periudhë fillestare pa pagesë për parkimin orësh.

Sipas rregullores, kjo periudhë llogaritet nga momenti i fillimit të parkimit dhe zbatohet njëtrajtshëm për biletat orëshe. Gjatë këtyre 15 minutave nuk aplikohen gjoba për mospagesë të tarifës.

Pas përfundimit të kësaj periudhe, konstatimi dhe sanksionimi i shkeljeve bëhet vetëm nga autoriteti ligjërisht kompetent, pa bllokim automatik të automjetit.

Gjobat e parapara në rregulloren e re janë:

40 euro për ndalim ose parkim në kundërshtim me sinjalizimin e trafikut;
40 euro për mospagesë të tarifës së parkimit, pas përfundimit të periudhës 15-minutëshe;
60 euro për lënien e automjeteve në rrugë, trotuare dhe hapësira të dedikuara për këmbësorë;
200 euro për parkim në vendet e dedikuara për personat me aftësi të kufizuara ose në vendparkimet e rezervuara;
50 euro për parkim në hapësira që nuk i përkasin kategorisë së automjetit, si dhe për bllokimin e vendparkimeve me pengesa pa pëlqimin e organit kompetent;
100 euro për shfrytëzimin e parkingjeve publike për veprimtari taksish dhe dhënie të automjeteve me qira, si dhe për parkimin e automjeteve të rënda e kategorive të tjera të ndaluara.
Rregullorja përcakton se gjobat shqiptohen nga organi kompetent për kundërvajtje, përkatësisht Inspektorati Komunal, ndërsa Prishtina Parking kryen veprimet teknike dhe administrative lidhur me evidentimin dhe përcjelljen e tyre.

Rregullorja parasheh disa mënyra të pagesës për shfrytëzimin e parkingjeve.

Përveç biletave fizike me para të gatshme në pikat e autorizuara, qytetarët do të mund të paguajnë edhe me kartela bankare, përmes terminaleve fizike, QR-kodit, aplikacioneve mobile, SMS-it dhe platformave elektronike bankare, përfshirë e-banking.

Prishtina Parking obligohet që qytetarët t’i informojë paraprakisht dhe në mënyrë të qartë për tarifat, procedurat e pagesës dhe mënyrat e dëshmimit të saj.

Ndërkaq, dokumenti parasheh edhe mundësinë e rimbursimit të mjeteve në rastet kur ndodhin gabime teknike gjatë pagesave. Qytetarët mund të paraqesin kërkesë për kthimin e mjeteve brenda 15 ditëve nga realizimi i pagesës, duke bashkëngjitur dëshmitë përkatëse.

Prishtina Parking obligohet ta shqyrtojë kërkesën dhe të marrë vendim të arsyetuar brenda 15 ditëve nga pranimi i saj.

Rregullohet operimi i parkingjeve private

Për herë të parë, në rregullore përcaktohen edhe kushtet për operimin e parkingjeve private në territorin e Prishtinës.

Operatorët privatë duhet të pajisen me leje nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, ndërsa hapësira e parkingut duhet të ketë kapacitet prej së paku 10 vendparkimeve.

Gjithashtu, operatorët duhet të dëshmojnë pronësinë ose të drejtën e shfrytëzimit të parcelës, të paraqesin projektin e organizimit dhe kyçjes në rrugë publike, të sigurojnë hapësira për personat me aftësi të kufizuara dhe të vendosin tabela informuese për kapacitetin, orarin e punës dhe tarifat.

Leja për operimin e parkingut privat nuk mund të jetë më e gjatë se katër vjet.

Për marrjen e kësaj leje, operatori duhet të paguajë një shumë të përgjithshme prej 1 mijë eurosh, si dhe taksën vjetore për secilin vendparkim: 150 euro në Zonën I, 100 euro në Zonën II dhe 50 euro në Zonën III.

Me hyrjen në fuqi të kësaj rregulloreje, shfuqizohet rregullorja e mëparshme e 2023-tës.

Artikuj të tjerë

Back to top button