
Transporti dhe shërbimet publike në Spanjë janë përballur me ndërprerje të mëdha të mërkurën, për shkak të grevës së parë të përgjithshme pas 14 vjetësh, të thirrur nga sindikatat kryesore për të kundërshtuar krizën e banimit dhe rritjen e kostos së jetesës.
Protesta janë mbajtur në disa qytete të vendit, përfshirë Madridin dhe Barcelonën, ku dhjetëra mijëra qytetarë kanë marshuar gjatë orëve të mbrëmjes.
Spanja pritet të mbajë zgjedhjet parlamentare më 29 nëntor.
Kreu i sindikatës së madhe UGT, Pepe Álvarez, e ka cilësuar grevën si të suksesshme, duke thënë se pjesëmarrja ishte masive. Edhe Unai Sordo, nga sindikata CC OO, ka deklaruar se pjesëmarrja ishte shumë e konsiderueshme.
Megjithatë, Konfederata Spanjolle e Organizatave të Biznesit ka vlerësuar se pjesëmarrja ishte e ulët dhe e pabarabartë, varësisht nga rajonet dhe sektorët e përfshirë.
Ndërprerjet më të mëdha janë regjistruar në qendrat kryesore industriale të Madridit dhe në Katalonjë, në verilindje të vendit, ku trafiku është bllokuar në disa rrugë kryesore.
Ministria e Brendshme ka njoftuar se dhjetëra persona janë arrestuar për incidente të ndryshme. Ndërkohë, mediat spanjolle kanë raportuar edhe për sulme ndaj zyrave të agjencive të patundshmërive.
Greva u organizua pas protestave të gjera kundër çmimeve të papërballueshme të banesave dhe rritjes së kostos së jetesës. Pakënaqësia u shtua veçanërisht pas dëbimit nga banesa të 87-vjeçares Maricarmen Abascal, e cila kishte jetuar për shtatë dekada në një apartament në Madrid. Ajo ndërroi jetë në spital disa javë më vonë.
Çmimet e qirave në kryeqytetin spanjoll janë rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Sipas portalit të patundshmërive Idealista, qiraja mujore për një apartament prej 50 metrash katrorë në Madrid ishte mesatarisht 1.170 euro në tetor.
Ndërkohë, paga mesatare mujore bruto në Spanjë është rreth 2.460 euro. Kjo do të thotë se qiraja për një apartament të tillë përbën pothuajse gjysmën e pagës mesatare bruto, shumë mbi nivelin prej 30 për qind që ekspertët e banimit dhe institucionet publike e konsiderojnë të përballueshëm.
Kryeministri socialist, Pedro Sánchez, shpalli zgjedhje të parakohshme muajin e kaluar, pasi parlamenti nuk arriti ta miratonte planin e tij për reformën në sektorin e banimit.
Greva e fundit e përgjithshme në Spanjë ishte mbajtur në vitin 2012, gjatë qeverisjes së konservatorit Mariano Rajoy.
Ndryshe nga grevat e mëparshme, të cilat zakonisht kanë ushtruar presion mbi qeverinë në pushtet, këtë herë Sánchez dhe ministrat e tij kanë shprehur mbështetje për protestuesit, madje duke i inkurajuar punëtorët të ndërpresin punën dhe të kërkojnë banesa të përballueshme.
Në një reagim në rrjetet sociale, Sánchez ka kujtuar se të drejtat e punëtorëve, pensionet dhe shërbimet publike shëndetësore janë arritur përmes angazhimit kolektiv, duke vlerësuar pjesëmarrësit në grevat e mëparshme.
Në anën tjetër, Partia Popullore konservatore (PP) e ka akuzuar qeverinë se po përpiqet ta shfrytëzojë grevën për përfitime elektorale.
Kreu i kësaj partie, Alberto Núñez Feijóo, e ka cilësuar grevën si të pakuptimtë, ndërsa sindikatat i ka quajtur me gjuhë fyese. Zëdhënësi i partisë, Miguel Tellado, ka akuzuar qeverinë se po e përdor grevën për t’i paralajmëruar votuesit kundër formimit të një qeverie të djathtë, e cila aktualisht shihet si skenari më i mundshëm pas zgjedhjeve të 29 nëntorit.
Sánchez, duke iu përgjigjur kritikave, ka deklaruar për televizionin spanjoll se ajo që është e pakuptimtë është vënia në pikëpyetje e të drejtës së punëtorëve për të bërë grevë.
Një tjetër tregues i ndikimit të grevës është edhe konsumi i energjisë elektrike në sektorin industrial. Sipas të dhënave të operatorit Red Eléctrica, konsumi i energjisë në Spanjë ka rënë për 7.5 për qind gjatë orëve të para të së mërkurës.
Në grevën e fundit të përgjithshme, 14 vjet më parë, rënia e konsumit të energjisë elektrike kishte qenë mbi 15 për qind.



