
Lekë Nikollbibaj është angazhuar përsëri në Universitetin e Prishtinës, kësaj radhe përmes konkursit të Fakultetit Filozofik për bashkëpunëtorë të jashtëm, më shumë se një vit pasi rektori Arben Hajrullahu kishte vendosur t’ia ndërpriste kontratën. Policia e Kosovës i ka konfiskuar 9.4 gramë substancë e dyshuar e llojit marihuanë, Lekë Nikollbibajt, më 14.04.2025.
Lekë Nikollbibaj është dënuar me burgim prej 6 muajsh zëvendësuar me gjobë në vlerë 1 mijë e 100 euro për veprën penale “Posedim i paautorizuar i substancave narkotike”.
Nikollbibaj ishte bashkëpunëtor i jashtëm në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës.Vendimi për ndërprerjen e angazhimit ishte marrë në maj të vitit 2025, pas raportimeve se Nikollbibajt i ishin konfiskuar disa gramë marihuanë jashtë ambienteve të Universitetit.
Rikthimi i tij në UP ka ndodhur përmes konkursit të datës 29 maj 2026, për angazhimin e profesorëve dhe asistentëve në mbajtjen e ligjëratave dhe ushtrimeve.
Rasti i tij është përcjellë edhe me procedura gjyqësore, si për çështjen penale, ashtu edhe për kontestin me Universitetin.
Në procedurën penale, Nikollbibaj e kishte pranuar fajësinë dhe kishte kërkuar falje në Prokurori, përmes një marrëveshjeje me prokurorin, i cili kishte ngritur aktakuzë më 17 nëntor 2025.
Sipas përshkrimit të rastit në aktgjykim, ai ishte parë në tarracën e banesës duke konsumuar substanca narkotike. Pas rastit, policia kishte shkuar për kontroll, ndërsa Nikollbibaj, në mënyrë vullnetare, u kishte dorëzuar zyrtarëve policorë dy qese të vogla me marihuanë dhe gjysmë cigare.
Ndërkohë, vendimin e rektorit për ndërprerjen e kontratës ai e kishte kundërshtuar në gjykatë, ku me 5 qershor 2025 kishte paditur Universitetin e Prishtinës, ndërsa më pas Gjykata e Prishtinës i’a kishte aprovuar pjesërisht padinë.
Sipas vendimit, ndërprerja e kontratës ishte e kundërligjshme, pasi Universiteti nuk kishte zbatuar procedurat disiplinore para marrjes së vendimit.Gjykata e kishte obliguar UP-në që për periudhën 2 maj deri më 31 korrik 2025 t’i paguante Nikollbibajt të gjitha kontributet
Megjithatë, kërkesa e tij për t’u kthyer në vendin e punës ishte refuzuar. Sipas avokatit Arbër Jashari, Universiteti e ka ankimuar vendimin dhe çështja është duke u trajtuar në Gjykatën e Apelit.
Për angazhimin e ri, avokati Jashari ka thënë se ndaj klientit të tij nuk ekziston ndonjë ndalim ligjor për ushtrimin e profesionit dhe se ai i ka plotësuar kushtet e konkursit.
“Nuk ka një urdhër që ia ndalon atij me ushtru profesionin, është krejt çështje etike. I ka plotësu kushtet sipas legjislacionit edhe sipas kritereve të konkursit”, ka deklaruar Jashari.
Në nivelin bachelor, ai figuron në lëndët “Logjikë deduktive”, “Filozofi e shkencës”, “Filozofi analitike” dhe “Konceptet filozofike të lirisë”. Ndërkaq, në programin master, emri i tij është përfshirë në orarin e ushtrimeve për lëndët “Arti dhe Politika” dhe “Temat kryesore dhe metodat në Filozofi Politike
Në fakt, në Statutin e UP-së, Kodin Etik dhe Rregulloren për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm nuk përcaktohet ndonjë ndalesë e shprehur për kandidatët që kanë aktakuzë apo që janë dënuar me gjobë.
Ndërkaq, sipas dispozitave ligjore për pranimin në pozita publike, kriter përjashtues është dënimi për kryerjen e një vepre penale me dashje.
Edhe Kodi Penal i Kosovës, në nenin 93, paragrafi 2, përcakton se pasojat juridike të dënimit nuk krijohen kur shqiptohet gjobë apo vërejtje gjyqësore. Neni 96, paragrafi 2, rregullon gjithashtu shlyerjen e dënimit nga evidenca penale pas kalimit të afateve ligjore, nëse personi nuk kryen vepër tjetër penale gjatë kësaj periudhe.
Rikthimi i tij në Universitet kështu është bërë në bazë të kritereve të konkursit, ndonëse rasti vazhdon të ngrejë pikëpyetje për raportin mes përgjegjësisë ligjore dhe standardeve etike në institucionet akademike.



