Operacioni “Heshtja”, arrestohen gjashtë persona dhe sekuestrohen drogë e asete në vlerë prej 301 mijë eurosh

Gjashtë persona janë arrestuar në një operacion të Policisë së Kosovës kundër një grupi të dyshuar për trafikim dhe shpërndarje të kokainës në rajonin e Prishtinës.

Gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, gjashtë vetura, para të gatshme dhe asete të tjera, vlera e përgjithshme e të cilave vlerësohet në rreth 301 mijë euro.

Operacioni, i koduar “Heshtja”, është realizuar më 14 nëntor nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Sipas Policisë, operacioni është rezultat i një hetimi të gjatë, përmes të cilit dyshohet se është zbardhur funksionimi i një grupi të organizuar me strukturë hierarkike, nga personat në pozita drejtuese deri te shpërndarësit e narkotikëve në rrugë.

Gjatë bastisjeve në disa lokacione janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar, ndërsa një tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

Përveç rreth 1.6 kilogramëve kokainë, policia ka sekuestruar edhe sasi të dyshuara të marihuanës, një substancë të panjohur dhe tableta të dyshuara të ekstazisë.

Në mesin e gjësendeve të sekuestruara janë edhe rreth 16 mijë euro para të gatshme në valuta të ndryshme, gjashtë vetura, përfshirë Mercedes-Maybach, Mercedes GLE, Porsche, Audi dhe VW Tiguan, si dhe telefona mobilë, pajisje elektronike e komunikimi dhe pajisje për vëzhgim.

Policia ka sekuestruar gjithashtu ora luksoze të markave Rolex dhe Franck Muller, stoli të çmuara, një armë zjarri, municion, thika, peshore digjitale dhe pajisje për paketimin e narkotikëve.

Sipas vlerësimeve të Policisë, kokaina e sekuestruar ka një vlerë të mundshme prej rreth 111 mijë eurosh në tregun e rrugës, ndërsa vlera e përgjithshme e drogës dhe aseteve të sekuestruara arrin në rreth 301 mijë euro.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, gjashtë të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë.

Operacioni është zhvilluar nën mbikëqyrjen dhe koordinimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda. Policia ka bërë të ditur se hetimet dhe veprimet operative lidhur me rastin janë duke vazhduar.

Artikuj të tjerë

Back to top button