Qerimi për deklaratën e Trumpit: SHBA-ja e vetmja që me presion mund ta bindë Serbinë për marrëveshje me Kosovën

Profesori universitar, Gëzim Qerimi, tha se deklarata e presidentit amerikan Donald Trump për ndërmjetësimin e tij në raportet mes Kosovës dhe Serbisë si shembull të rolit të SHBA-së në parandalimin e konflikteve, është tregues i rikthimit të interesimit amerikan si zhvillim me rëndësi jetike për Kosovën.
Ai në intervistë për Ekonomia Online tha se vetëm SHBA-ja mund të ushtrojë presion efektiv ndaj Serbisë për një marrëveshje përfundimtare.
“Deklaratat e Trumpit dhe rikthimi i interesimit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi është me interes të veçantë. Ne të gjithë jemi dëshmitarë që Bashkimi Evropian ka dështuar në një dialog të stërgjatur mes Kosovës dhe Serbisë, duke filluar nga viti 2011 si dialog teknik, por edhe në vitin 2025 ende nuk kemi një marrëveshje finale mes dy vendeve.
Besoj që SHBA-ja është i vetmi vend që nëpërmjet presionit mund ta bindë Serbinë për një marrëveshje. Klasa jonë politike do të duhej të ishte e përgatitur, sepse mund të ketë edhe qasje destruktive edhe nga pala serbe, edhe nga aleatët e tyre. Por, vlerësoj që është me interes jetik interesimi amerikan për Kosovën, sepse Kosova si tërësi është projekt amerikan”, tha Qerimi.
Ai shtoi se në realitet, përveç interesimit amerikan, ne nuk e dimë qasjen e presindentit Trump ndaj dialogut Kosovë – Serbi
“Jemi përballë dy sfidave: e kemi një marrëveshje që janë pajtuar palët, ajo e Brukselit dhe aneksi i Ohrit. Në të njëjtën kohë kemi idenë e mëhershme që ishte korrigjimi i kufijve. Shpresoj që Trump do të ketë një presion mbi të dyja palët në mënyrë që të arrijmë në një marrëveshje, por pa ndikim të drejtpërdrejtë në kuptimin e alternativave.
Mbetet në vullnetin e delegacionit të Kosovës dhe të Serbisë. Ajo çka është e rëndësishme, edhe në dy letrat e mëhershme të presidentit Trump, ka deklaruar që në esencë të këtij dialogu duhet të jetë njohja reciproke dhe besoj që nuk ka asnjë kuptim një marrëveshje nëse në të nuk përfshihet njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Është për t’u përshëndetur interesimi i Administratës Trump”, tha ai.
Qerimi kritikoi gjithashtu qasjen e gabuar të kryeministrit të Kosovës ndaj kësaj nisme, duke e konsideruar si dëm për interesat e vendit.
“Kryeministri ka qenë i guximshëm fatkeqësisht dhe hapat i ka pasur të gabueshëm. Vetë fakti që administrata Trump është interesuar për ta bërë një marrëveshje dhe t’i japë fund gjendjes së tensionuar në këtë rajon, fjala e kryeministrit ishte ‘kushte’ dhe reagimet ishin se nuk i vendosen kushte një mikut që dëshironte të ndihmojë. Është një qasje që po i bën dëm Kosovës. Sidomos duhet ta ketë parasysh kryeministri që tanimë nuk është në detyrë brenda mandatit, por është vetëm ushtrues i detyrës”, tha për EO, Qerimi.
Ditë më parë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka përmendur ndërmjetësimin e tij në raportet mes Kosovës dhe Serbisë si shembull të rolit të SHBA-së në parandalimin e konflikteve, ndërsa paralajmëroi përpjekje të reja për të arritur paqe mes Izraelit dhe Iranit.
Në një postim të publikuar të dielën në platformën e tij Truth Social, Trump shkroi: “Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova ishin duke shkuar drejt një përplasje të ashpër, siç kanë bërë për dekada, dhe ky konflikt afatgjatë ishte gati të shpërthente në luftë. E ndalova atë (Biden e ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të pakuptimta, por unë do ta rregulloj, sërish!)”.