Alarm për hantavirusin: OBSH konfirmon rastin e 12-të, holandezi rezulton pozitiv

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin për vigjilencë të shtuar pas konfirmimit të rastit të 12-të me Hantavirus në Holandë, i lidhur me shpërthimin e virusit në anijen turistike holandeze MV Hondius.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, gjatë një konference për media në Gjenevë, u bëri thirrje të gjitha shteteve që të vazhdojnë monitorimin e pasagjerëve dhe ekuipazhit që kanë qenë në bordin e anijes, si dhe të zbatojnë me rigorozitet masat e karantinës dhe kontrollit shëndetësor.
Sipas të dhënave të publikuara nga OBSH-ja, rasti më i fundit është konfirmuar tek një anëtar holandez i ekuipazhit, i cili aktualisht ndodhet në izolim. Me këtë rast, numri total i personave të infektuar ka shkuar në 12, ndërsa deri tani janë regjistruar tre viktima.
Ndërsa mediat e huaja bënë të ditur se nuk është raportuar asnjë viktimë e re që nga 2 maji, periudhë kur shpërthimi i virusit ishte raportuar për herë të parë në OBSH. Ai shtoi se mbi 600 kontakte në afro 30 vende të ndryshme vazhdojnë të jenë nën monitorim nga autoritetet shëndetësore.
Anija turistike MV Hondius kishte nisur udhëtimin më 1 prill nga Ushuaia, përpara se të vazhdonte itinerarin drejt Kepi Verde dhe Tenerife në Ishujt Kanarie.
Autoritetet ndërkombëtare shëndetësore po vazhdojnë hetimet për mënyrën e përhapjes së virusit në bord, ndërsa OBSH-ja ka apeluar për bashkëpunim ndërkombëtar dhe kujdes të shtuar për të parandaluar raste të reja të infektimit.



