Berisha pas largimit të PDK-së nga Komisioni për AKI: Deputetët të kontribuojnë në tejkalimin e ngërçit

Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bekë Berisha, ka deklaruar se mbledhja e këtij komisioni ka pasur kuorum dhe se puna do të vazhdojë, pavarësisht largimit të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës.

Ai kërkoi bashkëpunim ndërmjet deputetëve që të ketë komisione të rregullta, derisa potencoi se Kosova nuk është më e njëjta që nga data 16 shtator, dita kur u shpallë aktgjykimi i shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në Hagë.

Ndër të tjera, Berisha tha se kjo çështje nuk është vetëm e një partie.

“Ishim në Komision për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, kuorum kishte në mungesë të një personi nga Lista Serbe. Edhe do të vazhdojmë punën, po patëm reagim nga deputetët e PDK-së ashtu qysh e shpjeguan ata. Kjo çështje nuk është veç e një partie, është e të gjithë neve. Edhe i kisha lutë të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, me dhanë kontributin e vet më së pari që ne të stabilizohemi e të kemi komisione të rregullta, po edhe të kemi parlament e të mund të debatojmë”, tha Berisha.

Po ashtu, deputeti i Aleancës tha se ka mundësi që vendi të shkojë sërish në zgjedhje.

“Duhet me ditë që jemi me afat edhe 4-5 ditë, domethënë kemi mandat nëse nuk shkojmë në zgjedhje, sikur jemi mësu, domethënë jemi që tri herë tu shku në zgjedhje, ka mundësi që shkojmë prapë për shkak të moskomunikimit të mirëfilltë, për shkak të mosinteresimit, për shkak se po na marrin, domethënë temat edhe gjërat po na shtyjnë përpara e pa rolin shumë të deputetëve. Edhe çdo deputet e ka për detyrë, e ka për obligim, sepse nuk ka tjetër kush këtu pos deputetëve të të gjitha partive politike për me kallxu qysh me dalë na prej këtij ngërçi e prej kësaj nyje”, tha ai.

Artikuj të tjerë

Back to top button