Dëmtohen kabllot e internetit në Paparaci, reagon AGK-ja

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë të ditur se është njoftuar për prerjen e përsëritshme të kabllove të internetit në ndërtesën ku punon redaksia e portalit online “Paparaci”.
Siç thuhet në reagimin e AGK-së, një ndërprerje e tillë ka ndodhur edhe sot, për së paku të tretën herë brenda pak kohësh.
“Ky akt ka shkaktuar probleme serioze në funksionimin normal dhe të pandëprerë të punës së gazetarëve në këtë media. Redaksia e ka njoftuar Policinë e Kosovës që prej fillimit, dhe vetëm sot ka pasur ekipe hetuese në terren”.
AGK-ja shpreh shqetësim për këtë lloj të pengimit të punës së kësaj media dhe gazetarëve të saj dhe e sheh si përpjekje për të minuar raportimin e lirë.
Ky Asociacion njëherësh e ka ftuar Policinë dhe Prokurorinë që të bëjnë hetime të menjëhereshme për të identifikuar personin apo personat që janë përgjegjës për prerjen e qëllimshme të kabllove.
“Këto veprime janë presione shtesë në ambientin tashmë të rënduar të të bërit gazetari. AGK-ja angazhohet që gazetarët dhe mediat të jenë të lira dhe të papenguara për të kryer punën e tyre të rëndësishme për informimin e publikut”.



