
Dogana e Kosovës ka konfiskuar 952,54 gramë ar të përpunuar, në vlerë të përafërt prej 120 mijë eurosh, gjatë kontrolleve të realizuara sot në tri argjendari në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Doganës, kontrollet janë zhvilluar në kuadër të aktiviteteve për luftimin e kontrabandës, parandalimin e tregtisë së paligjshme dhe mbrojtjen e tregut.
Sasia e arit të konfiskuar është zbuluar në njërën prej argjendarive, ndërsa sipas njoftimit të Doganës për të janë ndërmarrë veprimet përkatëse në përputhje me legjislacionin doganor në fuqi.
Ndërkohë, në një argjendari tjetër Dogana e Kosovës ka konstatuar praninë e rreth 5 kilogramëve ar të pashenjëzuar, përkatësisht pa vulat përkatëse të kontrollit dhe shenjëzimit.
Lidhur me këtë rast, Dogana ka kërkuar asistencën e Inspektoratit kompetent të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Inspektorët kanë marrë në trajtim sasinë e identifikuar të arit për kryerjen e procedurave të verifikimit dhe shenjëzimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe tregtisë së paligjshme të metaleve të çmuara, si dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për garantimin e konkurrencës së ndershme, mbrojtjen e konsumatorëve dhe respektimin e detyrimeve ligjore”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se kontrollet e tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim të identifikimit dhe parandalimit të veprimtarive që cenojnë interesat ekonomike dhe fiskale të Kosovës.



