Fatmir Limaj i shkruan letër Bedri Hamzës: I kërkon që të garojnë bashkë në listën e PDK-së për zgjedhje

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i ka shkruar letër kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza.
Letrën e ka siguruar gazeta Nacionale.
Limaj i ka shkruar letër, sipas tij, bazuar në kërkesat e qytetarëve për bashkim në një listë.
“Në frymën e përgjegjësisë politike dhe shtetërore, si dhe duke respektuar kërkesën dhe pritjen e vazhdueshme të qytetarëve dhe mbështetësve dhe strukturave tona për bashkimin e potencialit politik që përfaqësojnë PDK-ja dhe Nisma, përmes kësaj shkrese ju paraqesim zyrtarisht gatishmërinë tonë për pjesëmarrje në listën zgjedhore të PDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit”, thuhet në letër, raporton Nacionale.
Limaj ka theksuar se kjo është edhe vullnet i tij, me qëllim të ofrimit të një zgjidhje të mirë politike për qytetarët.
“Ne besojmë se një bashkim i tillë nuk përfaqëson vetëm një marrëveshje politike apo elektorale, por edhe një frymë të bashkëpunimit ndërmjet njerëzve dhe strukturave që për vite të tëra kanë ndarë ideale, sakrificë dhe vizion të përbashkët për Kosovën”, thuhet më tutje.
“Në këtë frymë, dëshirojmë të theksojmë se angahzimi ynë nuk udhëhiqet nga kërkesa të veçanta politike apo organizative, por nga bindja se bashkimi dhe koordinimi i potencialit opozitar është në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet në këtë letër.
PDK-ja e ka refuzuar në vazhdimësi mundësinë e bashkimit me Nismën.
Së fundmi, Vlora Çitaku, tha se kjo nuk është as temë.
“Synimi ynë është që ta bëjmë një listë sa më gjithpërfshirëse… Unë po besoj që skena politike në Kosovë ka nevojë për figura të reja, ka nevojë për personalitete të reja. Shumë prej nesh – po e fus edhe veten këtu – kemi një jetë të tërë në politikë. Nuk është diskutuar fare çështja e zotit Limaj dhe nuk pres që të ketë një epilog ndryshe nga ai që ishte në zgjedhjet e fundit”, tha ajo.



