Gati dy javë para zgjedhjeve, Kurti “shpërblen” disa kategori me shtesa

Sot është mbajtur mbledhja e radhës e Qeverisë së Kosovës, aty ku kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti njoftoi rritjen e shtesave për lehona.
Kurti tha se shtesat do të rriten nga ky muaj, kurse nënat lehona do të përfitojnë 500 euro në muaj nga 325.9 që ishte deri më tani, raporton KlanKosova.tv.
“Njësoj sikur vitin e kaluar edhe në këtë maj ne po i rrisim shtesat për lehonat ashtu siç kemi premtuar. Nga 325.9 euro në muaj në 500 euro muaj, me fjalë tjera nuk po e presim korrikun, por rritjen po e bëjmë qysh tani. Nga ky muaj e tutje, secila nënë lehonë do përfitojë mbështetje mujore nga 500 euro në muaj, kjo për një lehonë e cila nuk është e punësuar përkthehet në 3000 euro, pa llogaritur edhe shtesat mujore për foshnjën, kurse për nënat lehona të punësuara, kjo përkthehet në mbështetje në 1500 euro përtej pagesave që u takojnë atyre sipas ligjit të punës, 70% e pagës nga punëdhënësi për 6 muajt e parë dhe 50% të pagës mesatare nga shteti për 3 muajt e tjerë”, tha Kurti.
Tutje, u bë e ditur që do të ndahen edhe shtesa nga 100 euro për studentët, pensionistët, punëtorët e sektorit jopublik dhe fëmijët.
“Qeveria jonë dhe e tyre nuk do ti lërë kurrë vetëm qytetarët pavarësisht bllokadat që të tjerët mund t’i vendosin”, tha Kurti.



