Gjakovë: Rrjeti i Prindërve kërkon arrestimin e drejtorit të dyshuar për ngacmim seksual ndaj të miturës

Kosova është tronditur nga një video-investigim i publikuar nga emisioni “Piranjat”, ku pretendohet për ngacmim seksual ndaj një të miture 17-vjeçare nga drejtori i shkollës “Pjetër Bogdani” në Demjan të Gjakovës, Nazmi Pnishi. Rasti ka nxitur reagime të ashpra nga organizata dhe qytetarë, ndërsa Rrjeti i Prindërve Edukues të Kosovës ka kërkuar veprime urgjente nga institucionet përgjegjëse.
Në reagimin publik të kësaj organizate thuhet se veprimet e pretenduara të drejtorit përbëjnë “një akt të turpshëm dhe kriminal”, duke theksuar se një person i ngarkuar me edukimin dhe sigurinë e nxënësve nuk mund të abuzojë me pozitën e tij në dëm të fëmijëve.
Sipas deklaratës, shqetësues mbetet edhe fakti se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur brenda ambienteve të shkollës, ndërsa organizata kritikon mungesën e reagimit institucional nga niveli lokal dhe qendror.
“Heshtja e institucioneve është bashkëfajësi”, thuhet në reagim, ku përmendet edhe pretendimi se personi në fjalë mburret me mbështetje politike. Rrjeti i Prindërve Edukues e konsideron të papranueshme mosndërmarrjen e masave të menjëhershme për largimin e tij nga sistemi arsimor dhe hetimin e rastit, transmeton Klankosova.tv
Organizata i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të nisë menjëherë hetimet dhe procedurat penale ndaj drejtorit, ndërsa nga Komuna e Gjakovës është kërkuar shkarkimi i tij i menjëhershëm nga çdo funksion publik dhe edukativ.
Po ashtu, janë paraqitur disa kërkesa konkrete për rritjen e sigurisë në shkolla, përfshirë vendosjen e kutive anonime të ankesave në çdo shkollë, krijimin e një platforme digjitale kombëtare për raportimin e abuzimeve dhe kryerjen e vlerësimeve psikologjike e etike periodike për mësimdhënësit dhe drejtuesit e institucioneve arsimore.
Në fund të reagimit, organizata u ka bërë thirrje prindërve që të flasin hapur me fëmijët e tyre për raste të mundshme abuzimi, ndërsa nxënësit janë inkurajuar të raportojnë çdo sjellje të papërshtatshme apo kërcënuese.
“Shkolla duhet të jetë vendi më i sigurt për një fëmijë pas shtëpisë së tij. Ne nuk do të lejojmë që politika apo indiferenca institucionale të mbrojë predatorët. Kërkojmë drejtësi, tani”, përfundon reagimi i Rrjetit të Prindërve Edukues të Kosovës.



