
Posta e Kosovës shënoi 1.11 milionë euro fitim gjatë vitit 2025, ndërsa auditori i jashtëm i ka dhënë opinion të pastër, pa vërejtje.
Kështu ka bërë të ditur zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, i cili ka njoftuar edhe për marrëveshjen e lidhur për kompensimin e shërbimit universal, në vlerë prej 477 mijë eurosh.
Marrëveshja është lidhur me kryeshefen e Postës së Kosovës, Nora Rraci, dhe drejtorin e Njësisë së Ndërmarrjeve, Dëfrim Pllashniku.
Sipas Mjekut, shërbimi universal u garanton të gjithë qytetarëve pranimin dhe dërgimin e letrave dhe pakove brenda dhe jashtë vendit, me çmime të përballueshme dhe të unifikuara në të gjitha pikat postare dhe në gjithë territorin e Kosovës.
“Posta e Kosovës shënoi 1,11 milionë euro fitim më 2025, dhe auditori i jashtëm i dha opinion të pastër pa vërejtje. Sot, me kryeshefen Nora Rraci dhe drejtorin Dëfrim Pllashniku e Njësisë së Ndërmarrjeve, lidhëm marrëveshjen për kompensimin e shërbimit universal sipas normave evropiane, për 477 mijë euro. Shërbimi universal ua garanton të gjithë qytetarëve pranimin e dërgimin e letrave dhe pakove brenda e jashtë vendit me çmime të përballueshme dhe të unifikuara – në të gjitha pikat postare dhe në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Mjeku.
“Pulla postare për kartolinën brenda Prishtinës kushton sa pulla për kartolinën nga Leposaviqi për në Brod të Sharrit. Sivjet pritet të jetë viti i tretë që Posta e mbyll me fitim financiar, të cilin e arriti për herë të parë më 2024, mbi një dekadë pas themelimit si ndërmarrje e ndarë. Nën udhëheqjen e znj. Rraci, Posta ka hapë 28 zyra të reja postare, ka investu në teknologjinë informative, si dhe ka fresku flotën me 7 furgonë, 10 vetura e 59 motoçikleta me mjete vetanake”, tha ai.



