Kallxo.com paralajmëron padi për shpifje ndaj kryetarit të Obiliqit, Halil Thaçi

BIRN Kosova dhe Internews Kosova kanë reaguar ndaj deklaratave të bëra nga kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, sot para Prokurorisë Speciale, në të cilat ai ka pretenduar se është shantazhuar gjatë hulumtimit të rastit që lidhet me shpronësimet në Shipitull.
Reagimi i plotë:
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, sot në një deklaratë publike ka lansuar një shpifje të rëndë, të pabazuar dhe me qëllim të sulmit të drejtpërdrejtë ndaj gazetarisë hulumtuese dhe punës së ekipit të KALLXO.com lidhur me hulumtimin “Ndërhyrja e deputetit të Vetëvendosjes në shpronësimet në Shipitullë”, të transmetuar me 13 korrik 2024.
Në këtë hulumtim, Halil Thaçi është filmuar (min 17:38) duke premtuar se, në cilësinë e deputetit, do të ndikonte te anëtarët e Komisionit për Miniera dhe Minerale lidhur me shpronësimet me vlera të larta në Shipitullë të Obiliqit.
Ai është marrë në pyetje sot (15.07.2026) në Prokurori si person i dyshuar për ndikim në shpronësime dhe ka tentuar të kamuflojë lajmin për intervistimin e tij si i dyshuar me një shpifje të paskrupullt për kinse “shantazh” nga ekipi i KALLXO.com.
Në asnjë rast, Jeta Xharra, drejtoresha e BIRN-it dhe Shqipron Xhema, autor i këtij hulumtimi, e as stafi i KALLXO.com nuk e kanë kontaktuar z. Thaçi për qëllime të tjera, përveç zbatimit të obligimit etik që ai të ketë të drejtën t’u përgjigjet akuzave për përfshirjen e tij në aferën e shpronësimeve.
Pra, më 5 qershor 2024, më shumë se 1 muaj para se të publikohet hulumtimi, Halil Thaçi është kontaktuar nga autori i hulumtimit, Shqipron Xhema, për të dhënë anën e tij. I tërë komunikimi me z. Thaçin është i incizuar dhe në asnjërën prej telefonatave mesazheve apo e-maileve nuk është diskutuar për mospublikimin e materialeve siç pretendon z.Thaçi.
Për më shumë, janë bërë dy vjet prej se është publikuar hulumtimi dhe përgjatë kësaj periudhe Thaçi nuk është ankuar që ka pasur “shantazh” nga ekipi i Kallxo.com, por i ka rënë në mend sot që thirrja jonë për të marrë anën e tij para dy vjetësh paska qenë “shantazh”.
Shtrohet pyetja, nëse qenka shantazhuar para dy vjetësh nga ekipi jonë, pse z.Thaçi mori pjesë në debatet e Kallxo.com për kryetar të komunave në vitin 2025?
Për të mbrojtur punën tonë etike, profesionale dhe të pavarur, ne do të ushtrojmë me urgjencë padi për shpifje ndaj z.Thaçi për sulmin e paprecedentë të tij ndaj gazetarisë hulumtuese.
Ky sulm ndaj ekipit tonë është një përpjekje për të demonizuar hulumtimet për korrupsionin dhe për të penguar gazetarët profesionistë në ushtrimin e detyrës së tyre.
Për këtë sulm të rëndë, KALLXO pret një distancim të qartë dhe serioz nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Lusim mediat që shpifjet e tilla të mos i publikojnë apo të paktën të marrin mundin t’i verifikojnë para publikimit.
Rrethanat e kësaj ngjarje janë si vijon
Denoncuesit e aferës së shpronësimeve kanë sjellë në redaksinë e Kallxo.com materialet ku deputeti dëgjohet duke premtuar ndryshimin e vijave të shpronësimeve në Shipitullë.
Pas pranimit të materialeve me 5 qershor 2024 ekipi i kallxo e ka kontaktuar z. Thaçin në telefon për të dhënë versionin e tij për ngjarjen.
Ai është kontaktuar edhe disa herë me kërkesë që të japë intervistë për ngjarjen, ndërsa pas rreth 40 ditësh hulumtimi është publikuar.
Të gjitha kontaktet e ekipit me z.Thaçi janë të incizuara dhe një pjesë e madhe e tyre janë transmetuar në emisionin tonë.
Në asnjërën prej këtyre përmbajtjeve të incizuara nuk ka kërkesa për ndaljen e hulumtimit apo për mospublikimin e hulumtimit, thuhet nder tjerash në reagimin e BIRN.


