
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka shpallur të pafajshëm Ramadan Shalakun, Adem Alshiqin, Lah Dedincën dhe Shefqet Kaqiun, të cilët akuzoheshin për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Vendimi është marrë pas shqyrtimit të rastit në të cilin katër të akuzuarit përballeshin me pretendimet e Prokurorisë Themelore në Prishtinë lidhur me një kontratë të KEK-ut për “Riparim të punëtorisë elektro-makinerike me garderobë”.
Në seancën e shqyrtimit fillestar, të akuzuarit kishin deklaruar se nuk e pranonin fajësinë dhe ishin deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të datës 25 mars 2024, Ramadan Shalaku, në cilësinë e udhëheqësit në servisin e mihjes në KEK-Obiliq dhe menaxherit të kontratës, akuzohej se kishte keqpërdorur detyrën zyrtare duke i mundësuar operatorit ekonomik “Ar-Tech” Sh.p.k. përfitim financiar, ndonëse, sipas prokurorisë, disa punime të parapara me kontratë nuk ishin kryer.
Prokuroria pretendonte se me këto veprime buxhetit të KEK-ut i ishte shkaktuar dëm në vlerë prej 7,185.17 euro.
Ndërkaq, Adem Alshiqi, në cilësinë e kryetarit të komisionit të pranimit teknik, si dhe Lah Dedinca e Shefqet Kaqiu, si anëtarë të këtij komisioni, akuzoheshin se kishin pranuar punimet e operatorit ekonomik “Ar-Tech”, pavarësisht pretendimeve se një pjesë e punimeve nuk ishte realizuar ose ishte realizuar vetëm pjesërisht.
Sipas aktakuzës, edhe në këtë rast pretendohej se buxhetit të KEK-ut i ishte shkaktuar dëm financiar.
Të katër të akuzuarit përballeshin me akuzën për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Megjithatë, pas zhvillimit të procedurës gjyqësore, gjykata ka marrë vendim lirues për të gjithë të akuzuarit, duke i shpallur të pafajshëm nga akuzat e ngritura ndaj tyre



