Kosova po importon gjithnjë e më shumë energji, prodhimi vendor në rënie të madhe

Kosova ka shënuar rritje të konsiderueshme të importit të energjisë elektrike gjatë muajit maj 2026, ndërsa prodhimi vendor nga termocentralet ka pësuar rënie të theksuar.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), importi i energjisë elektrike arriti në 422.31 GWh, duke shënuar një rritje prej 41.29 për qind krahasuar me majin e vitit 2025.

Në anën tjetër, prodhimi bruto i energjisë nga termocentralet ra në 178.48 GWh, që paraqet një ulje prej 45.40 për qind në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Raporti tregon se prodhimi nga hidrocentralet u rrit me 51.38 për qind, duke arritur në 49.22 GWh, ndërsa prodhimi nga era dhe panelet solare u rrit me 8.25 për qind, në 39.30 GWh. Megjithatë, këto rritje nuk arritën ta kompensojnë rënien e prodhimit nga termocentralet.

Gjatë muajit maj, konsumi i energjisë elektrike në Kosovë arriti në 398.66 GWh, ose 8.88 për qind më shumë se në të njëjtin muaj të vitit 2025.ASK njofton gjithashtu se prodhimi i thëngjillit ka rënë me 37.25 për qind, në rreth 301 mijë tonë, ndërsa eksporti i energjisë elektrike ka shënuar një rënie të lehtë prej 1.58 për qind, duke arritur në 205.27 GWh.

Artikuj të tjerë

Back to top button