KosovaMed dhe QKMF “Nënë Tereza” organizojnë aktivitet sensibilizues në Klinë për Javën Botërore të Ushqyerjes me Gji

Në kuadër të Javës Botërore të Ushqyerjes me Gji, KosovaMed Healthcare, në bashkëpunim me QKMF “Nënë Tereza” në Klinë dhe Drejtorinë e Shëndetësisë, kanë organizuar një aktivitet sensibilizues, edukativ dhe shëndetësor në qendër të qytetit.

Përmes një tende të vendosur në qendër të Klinës, qytetarët patën mundësi të marrin këshilla profesionale mbi rëndësinë e ushqyerjes me gji, por edhe informacione dhe shërbime shëndetësore në lidhje me hipertensionin, diabetin, parandalimin dhe kujdesin e përgjithshëm shëndetësor.

Gjatë aktivitetit u theksua rëndësia e ushqyerjes me gji për shëndetin dhe zhvillimin e foshnjave, përfshirë sigurimin e ushqyesve të nevojshëm, forcimin e sistemit imunitar dhe krijimin e lidhjes së veçantë mes nënës dhe fëmijës.

Në aktivitet morën pjesë edhe Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Klinë, Agron A. Bacaj, si dhe Prof. Ass. Dr. Gazmend Bojaj, Drejtor i QKMF “Nënë Tereza”, të cilët shprehën mbështetjen për iniciativa që synojnë rritjen e ndërgjegjësimit, parandalimin dhe ofrimin e kujdesit shëndetësor sa më afër qytetarëve.

Një rol të rëndësishëm në organizimin dhe koordinimin e aktivitetit pati edhe Kryeinfermierja e QKMF-së, Teuta Bacaj, së bashku me stafin shëndetësor, të cilët ofruan këshillim dhe shërbime për qytetarët.

Në kuadër të këtij aktiviteti, KosovaMed Healthcare realizoi edhe një donacion për QKMF “Nënë Tereza”, duke e cilësuar këtë si pjesë të angazhimit të vazhdueshëm për fuqizimin e shërbimeve shëndetësore dhe mbështetjen e iniciativave që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në komunitet.

Nga KosovaMed është theksuar se bashkëpunimi me institucionet publike shëndetësore përfaqëson një përgjegjësi të përbashkët për avancimin e shërbimeve dhe afrimin e kujdesit shëndetësor me qytetarët.

Aktiviteti u përmbyll me falënderime për Drejtorinë e Shëndetësisë në Klinë, QKMF “Nënë Tereza”, drejtuesit, stafin shëndetësor dhe të gjithë kontribuuesit në organizimin e tij.

Artikuj të tjerë

Back to top button