Kosovë: Mbi 3 mijë persona vdiqën në aksidente trafiku që nga viti 2000 në Kosovë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në prezantimin e punës vjetore të Policisë rajonale të Prishtinës, ka bërë të ditur se nga viti 2000 deri më sot në rrugët e Kosovës kanë humbur jetën mbi 3 mijë njerëz.
Ai ka theksuar se problemet që kanë shënuar rritje janë rastet me fatalitet në trafik, dhe jo vetëm në Prishtinë, por gjithandej Kosovës. Sipas tij, numri i personave të vdekur në trafik ka shënuar rritje, duke kaluar mbi 100 persona, krahasuar me 89 që ishin në vitin 2024.
“Kosova që nga viti 2000 deri më sot i ka humbur mbi 3,111 njerëz në trafik. Është një numër i madh i jetëve të humbura në trafik dhe një prej prioriteteve ka me qenë siguria në trafik. Por që këtë punë policia nuk mund ta bëjë e vetme, na duhet mbështetja e komunave, e Ministrisë së Infrastrukturës dhe e gjithë shoqërisë, sidomos te vetëdijesimi i njerëzve, pastaj deri te marrja e patentëshoferëve dhe kontrolli i shtuar në rrugë”, ka thënë Hoxha.
Ai ka numëruar disa nga faktorët që kanë ndikuar në rritjen e problemeve në trafik, duke përmendur numrin e madh të njerëzve që kanë vizituar Kosovën.



