Kurti vendos gurthemelin e Parkut Industrial në Podujevë, investimi mbi 3 milionë euro

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, dhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, kanë vendosur gurthemelin për ndërtimin e Parkut Industrial në fshatin Livadicë të Podujevës, vetëm një muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet MINTI-t dhe Komunës së Podujevës.

Parku Industrial përbën një investim të rëndësishëm për ekonominë e Llapit dhe për bizneset që tashmë kanë shprehur interes të madh për të investuar dhe zgjeruar aktivitetin e tyre në këtë park të ri.


Parku Industrial do të shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 30 hektarësh, ndërsa investimi për ndërtimin e tij kap vlerën prej mbi 3 milionë euro. Projekti pritet të përfundojë brenda 350 ditësh pune, duke krijuar një hapësirë të re dhe moderne për zhvillimin e bizneseve dhe industrisë.
Parku do të ndërtohet në harmoni me standardet për mbrojtjen e mjedisit dhe parimet e tranzicionit të gjelbër.
Në pesë vitet e ardhshme, vizioni i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit është zhvillimi i 16 parqeve industriale në të gjithë Kosovën, me një investim që tejkalon 50 milionë euro.


Në zhvillimin e parqeve të reja industriale po integrohen standardet e parqeve industriale të gjelbra, parimet e ekonomisë qarkore dhe koncepti i simbiozës industriale.
Kjo qasje nënkupton që bizneset brenda një parku të mos funksionojnë si njësi të izoluara, por të krijojnë mundësi për bashkëpunim dhe përdorim më efikas të burimeve. Një biznes mund të përdorë mbetjet ose nënproduktet e një biznesi tjetër si lëndë të parë, ndërsa disa biznese mund të ndajnë infrastrukturën, energjinë, sistemet e trajtimit të mbetjeve apo shërbime të tjera. Në këtë kuadër, synohet që uji, energjia dhe lëndët e para të përdoren në mënyrë sa më efikase.


Në këtë mënyrë, ekonomia qarkore bëhet një mekanizëm për uljen e kostove dhe rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për ndërmarrjet vendore, të cilat duhet të konkurrojnë jo vetëm në tregun e Kosovës, por edhe në tregjet rajonale dhe evropiane.


Për këtë qëllim, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit është duke avancuar bashkëpunimin me Bankën Botërore dhe IFC-në, me synim sjelljen e ekspertizës ndërkombëtare në planifikimin, zhvillimin dhe menaxhimin e parqeve industriale.
Parku Industrial i Podujevës është pjesë e vizionit për zhvillimin e një rrjeti modern dhe të qëndrueshëm të parqeve industriale në komunat e Republikës së Kosovës, me synim të qartë për krijimin e më shumë mundësive për investime, rritjen e prodhimit vendor, zgjerimin e eksporteve dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Ky projekt nuk përfaqëson vetëm një investim në infrastrukturë, por edhe një investim në një model të ri të zhvillimit ekonomik, ku industria, inovacioni dhe mbrojtja e mjedisit ecin së bashku

Artikuj të tjerë

Back to top button