Kurti: Zgjedhja e presidentit duhet të bëhet urgjentisht, ndryshe vendi shkon në zgjedhje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka thënë se çështja e dënimit të krerëve të UÇK-së në Hagë nuk është lidhur asnjëherë me zhvillimet e brendshme politike apo me zgjedhjen e presidentit.

Kurti tha se të dyja çështjet janë të interesit shtetëror, ndërsa theksoi se për katër të dënuarit në shkallën e parë beson në korrigjim përmes apelit dhe në një strategji shtetërore për këtë proces.

Ai u shpreh se, përveç çështjes së Hagës, Kosova aktualisht përballet me një pengesë të menjëhershme, zgjedhjen e presidentit.

“Moszgjedhja e presidentit na çon direkt në zgjedhje, por na pamundëson të merremi me strategjinë shtetërore e kombëtare dhe apelin që është shumë i ngushtë”, tha Kurti.

Sipas tij, zgjedhja e presidentit është emergjente, në mënyrë që të hiqet presioni mbi shtetin dhe vëmendja të përqendrohet te mbrojtja e luftës së UÇK-së në procesin gjyqësor.

Kurti përmendi edhe rastin e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët janë dënuar në shkallë të parë.

“Thaci, Veseli, Krasniqi janë dënuar në shkallë të parë, ndërkohë sonte në mbrëmje mund të shkojmë në zgjedhje sikur s’ka ndodhur asgjë. Duhet kohë angazhim”, deklaroi ai.

Kurti tha se çështja e Hagës është në horizont, ndërsa zgjedhja e presidentit është çështja që, sipas tij, duhet të trajtohet menjëherë për të shmangur shkuarjen në zgjedhje.

“Gjëja e parë duhet heqja e pengesave imediate që i kemi sot, tani, këtu dhe të gjithë, e kjo është çështja e presidentit. Gjykata Speciale është temë në horizontin tonë përpara. Sot e sonte e kemi çështjen e presidentit që mund të na çojë në zgjedhje të paarsyeshme, të panevojshme e të kushtueshme ”, tha ai.

Artikuj të tjerë

Back to top button