
Një person është arrestuar në Prizren nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve dhe mashtrim, pas një hetimi të përbashkët të Prokurorisë Themelore dhe Policisë së Kosovës
Sipas Prokurorisë, i dyshuari me inicialet I.Ç., pronar dhe person përgjegjës i një qendre për verifikimin e aftësive profesionale, dyshohet se ka lëshuar diploma për profesione të ndryshme pa u zhvilluar trajnimet teorike dhe praktike.
Hetimet kanë ngritur dyshime se këto dokumente janë përdorur më pas për punësim brenda dhe jashtë Kosovës, si dhe për plotësimin e kushteve në procedura të ndryshme të prokurimit.
Nga viti 2019 e deri më tani dyshohet se janë lëshuar rreth 1,679 diploma, ndërsa pagesa për një dokument dyshohet të ketë qenë rreth 300 euro. Sipas Prokurorisë, përfitimi i dyshuar nga kjo veprimtari arrin në rreth 500 mijë euro.
Gjatë kontrollit të kryer me urdhër të Gjykatës Themelore në Prizren, janë sekuestruar 333 diploma, dy kompjuterë, dy USB, tri vula të biznesit, një telefon, dokumente me shënime për pagesa dhe borxhe, 630 euro para të gatshme dhe nëntë kartëvizita.Sipas autoriteteve, subjekti dyshohet se nuk ka qenë i akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve dhe nuk ka pasur autorizim për ofrimin, vlerësimin dhe certifikimin e kualifikimeve profesionale.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokuroria do të vendosë brenda afatit ligjor nëse do të kërkojë masë tjetër për sigurimin e pranisë së tij në procedurë.Prokuroria dhe Policia kanë bërë thirrje që personat që dyshojnë se janë mashtruar përmes kësaj skeme të raportojnë rastin në Prokurorinë Themelore në Prizren ose në stacionin më të afërt policor.



