Mërgimtarja nga Gjermania lëndohet në Zip Line në Rugovë, babai akuzon për neglizhencë

Një incident ka ndodhur pasditen e së dielës në Zip Line në Rugovë të Pejës, ku një 28-vjeçare kosovare, e cila jeton në Gjermani dhe kishte ardhur për pushime në Kosovë, ka mbetur e lënduar gjatë përdorimit të zip line.

Babai i saj ka shprehur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:30, derisa vajza e tij dhe bashkëshorti i saj vendosën ta provonin zip line.

Sipas tij, punëtorët nuk i kanë paralajmëruar se kushtet atmosferike ishin të papërshtatshme për aktivitetin dhe u kanë thënë se nuk kishte asnjë problem për ta realizuar.

“Sot rreth orës 15:30 kemi qenë te qendra e Zip Line në Rugovë të Pejës. Vajza me bashkëshortin e saj kanë shkuar për ta provuar. Punëtorët nuk na kanë njoftuar se koha ishte e papërshtatshme për t’u lëshuar dhe na thanë se nuk kishte problem,” ka deklaruar ai.

Ai pretendon se në fund të zbritjes nuk ka qenë askush për ta pritur 28-vjeçaren, e cila sipas tij, mori shpejtësi të madhe, u përplas në fund të linjës dhe më pas u rikthye prapa rreth 10 metra, duke mbetur e varur për afro 10 minuta.

“Punëtorët që ishin aty janë larguar nga vendi i ngjarjes. Vajzën e ka zbritur bashkëshorti i saj, ndërsa më pas ajo e humbi vetëdijen,” ka shtuar ai.

28-vjeçarja ka marrë trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës, ku ka pësuar lëndime në këmbë.

Babai i vajzës pasi ka kontaktuar me përfaqësuesit e Zip Line për të kërkuar sqarime, përgjigjja që kanë marrë ka qenë: “Na vjen keq, s’kemi çka me bo”.

Rasti mbetet në hetime nga Policia e Kosovës.

Artikuj të tjerë

Back to top button