OVL-UÇK kërkon lirimin e dy të arrestuarve, pohon se njëri është anëtar i Kryesisë së saj

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka kërkuar lirimin e Ekrem Manit dhe Fadil Zogajt, të cilët, sipas saj, po mbahen në paraburgim pas ndalimit gjatë protestës më 05.10.2026 në Prishtinë.

OVL-UÇK ka bërë të ditur se Mani është anëtar i Kryesisë së kësaj organizate. OVL-UÇK ka kritikuar ndërhyrjen e Policisë së Kosovës gjatë protestës dhe ka kërkuar përgjegjësi për personat që, sipas saj, kanë urdhëruar dhe zbatuar veprimet policore.

“Njëkohësisht, kërkojmë lirimin sa më të shpejtë të anëtarit të Kryesisë së OVL UÇK-së, Ekrem Mani, dhe Fadil Zogajt, të cilët po mbahen në paraburgim nga organet policore” thuhet në reagimin e organizatës.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se pas protestës së djeshme janë arrestuar tre persona, dy prej të cilëve me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërsa një është liruar në procedurë të rregullt. “Ajo që ndodhi dje është një njollë e rëndë mbi institucionet e Republikës së Kosovës. Albin Kurti dhe Xhelal Sveçla, dy dezertorë të luftës, e vunë Policinë përballë veteranëve tanë, të cilët luftuan, u plagosën dhe dhanë gjymtyrët e tyre për ta bërë të mundur këtë shtet” ka shkruar OVL-UÇK.

Sipas Policisë, arrestimet janë bërë pas hedhjes së mjeteve piroteknike, fishekzjarrëve dhe mjeteve të forta ndaj objekteve shtetërore dhe zyrtarëve policorë. OVL-UÇK ka kërkuar gjithashtu hetim për çdo tejkalim të mundshëm të kompetencave nga zyrtarët policorë. Ndërkohë, Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dy personave të dyshuar për sulm ndaj deputetit të LVV-së, Fahrush Rexhepi.

Artikuj të tjerë

Back to top button