PDK kundërshton rritjen e re të rrymës: 21% më shtrenjtë, barrë e papërballueshme për qytetarët

Partia Demokratike e Kosovës, ka reaguar ndaj propozimit të KESCOS për rritjen e energjisë elektrike deri në 21%, të cilët e konsideruan këtë si goditje të rëndë ndaj familjeve kosovare, shkruan TandemPress.
PDK vlerëson se një rritje e tillë e tarifave të energjisë e thellon edhe më tej krizën sociale dhe ekonomike në vend.
“Në një kohë kur qytetarët tanë po përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve, paga të ulëta dhe kosto jetese gjithnjë e më të lartë, një rritje e tillë e tarifave të energjisë e thellon edhe më tej krizën sociale dhe ekonomike në vend. Shumë familje në vendin tonë tashmë janë në kufijtë e mbijetesës financiare, ndërsa ky vendim do të sillte pasiguri shtesë, rritje të varfërisë dhe cenim serioz të mirëqenies së tyre. Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të papranueshme çdo përpjekje për ta transferuar barrën e keqmenaxhimit dhe dështimeve në sektorin e energjisë mbi qytetarët tanë. Energjia elektrike është një nevojë bazike dhe trajtimi i saj si e tillë është detyrim institucional”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Tutje PDK kundërshton fuqishëm çdo propozim për rritje të tarifave të energjisë elektrike dhe u bën thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji, që t’i refuzojnë këto kërkesa dhe të veprojnë në mbrojtje të interesit publik dhe të qytetarëve të Kosovës.
“Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë me angazhimin e saj për zbardhjen e aferave në sektorin e energjisë, për rritjen e llogaridhënies institucionale dhe për mbrojtjen e qytetarëve nga politika që rëndojnë jetën e tyre të përditshme”, thuhet ndër të tjera në komunikatën për media.
Të enjten ZRRE ka publikuar aplikimet fillestare të kompanive KESCO, KEDS dhe KOSTT për kostot dhe të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026. Sipas këtyre shifrave, shuma totale që kompanitë kërkojnë të mbulohet tejkalon 90 milionë euro, që do të përkthehej në një rritje të mundshme të tarifave të energjisë elektrike afër 21%



