Policia në Zubin Potok gjen armë dhe municion në tri lokacione

Në tri lokacione në Zubin Potok, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka gjetur armë, municion dhe mjete të tjera ilegale.
“Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri, në vazhdën e pranimit të informatave nga qytetarët, më datë 21.06.2026 ka pranuar informacione se në tri lokacione në komunën e Zubin Potokut mund të ketë armë, municion dhe mjete të tjera ilegale”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Si rezultat, Policia ka ndërmarrë veprime policore.
Në rastin e parë, njësitet policore kanë kryer kontroll në fshatin Presek, ku kanë gjetur disa armë e fishekë.
“Njësitë policore kanë kryer kontroll në fshatin Presek, Zubin Potok, në një objekt (shtallë për ushqimin e bagëtive), ku kanë gjetur dhe konfiskuar: 1 pushkë M48; 5 karikatorë të armës së gjatë të kalibrit 7.62 mm, 151 fishekë të kalibrit 7.62 mm, pjesë të uniformës e kamufluar, bateri ndriçuese”.
Edhe në rastin e dytë, në të njëjtin fshat bëhet me dije se Policia ka kryer kontroll në një objekt (shtallë për ushqimin e bagëtive), ku ka gjetur dhe sekuestruar: 1 pushkë M48, 74 fishekë të së njëjtës armë, 254 fishekë të armës së gjatë të kalibrit 7.62 mm.
Në rastin e tretë, njësitet policore gjatë kontrollit në një objekt të pabanuar në fshatin Qeçevë, kanë gjetur dhe konfiskuar 1 pushkë M48 me bajonetë, 11 fishekë të së njëjtës armë, 33 fishekë të armës së gjatë të kalibrit 7.62 mm, dy makina (mjete pune) për mbushjen e fishekëve të armëve të gjuetisë, rreth 200 gramë barut, rreth 2 kilogramë sfera (thërrmija metalike) për mbushjen e fishekëve të armëve.
Lidhur me këto raste, deri në këtë fazë theksohet se nuk ka persona të arrestuar.
Të gjitha veprimet policore thuhet se janë ndërmarrë në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rasteve për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.



