Shtatë persona vdesin si pasojë e të nxehtit në Francë

Shtatë persona kanë vdekur në Francë si pasojë e një vale ekstreme të të nxehtit që ka përfshirë pjesë të mëdha të Evropës Perëndimore.
Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë regjistruar temperatura rekord për muajin maj dhe parashikimet tregojnë se temperaturat do të rriten edhe më tej.
Sipas mediave të huaja, Agjencia kombëtare e motit në Francë, Meteo France, ka bërë të ditur se temperatura më e lartë e regjistruar ka arritur 37.1 gradë Celsius pranë Hossegor, në rajonin jugperëndimor të Les Landes, transmeton Klankosova.tv.
Sipas parashikimeve, temperaturat në pjesën perëndimore të vendit mund të kalojnë edhe 36 gradë Celsius gjatë ditës së martë.
Ndërkohë, në Spanjë, autoritetet meteorologjike kanë paralajmëruar se temperaturat e larta do të vazhdojnë në disa rajone, ku në luginat e Guadiana, Guadalquivir dhe Ebro priten vlera nga 36 deri në 38 gradë Celsius, të cilat mund të zgjasin deri të premten.
Sipas parashikimeve meteorologjike, vala e të nxehtit pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim në Francë, Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar, me temperatura që tejkalojnë mesataret sezonale për 12 deri në 13 gradë Celsius.



