Zgjedhjet e 7 qershorit, Elezi tregon datën për tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike

Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026, pritet të mbahet të shtunën, më 16 maj.
Lajmin e ka bërë të ditur, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka treguar se kjo datë është caktuar nga KQZ me miratimin e planit të të gjitha aktiviteteve për organizimin e zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.
“Tërheqja e shortit për caktimin e numrave rendorë të subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor, është planifikuar të zhvillohet më 16 maj”, tha Elezi.
Tërheqja e numrave për renditje në fletëvotim, pritet të bëhet nga 27 subjekte politike.
“Pas periudhës zgjedhore për njoftim të pjesëmarrjes në zgjedhje nga partitë politike dhe për formim të koalicioneve (1 – 7 maj), si dhe periudhës për aplikim për certifikim nga subjektet e reja politike (2 – 10 maj), numri i përgjithshëm i subjekteve politike që mund të jenë pjesë e zgjedhjeve të parakohshme, është: 27, prej tyre 22 parti politike; 3 koalicione; 1 nismë qytetare; dhe 1 kandidat i pavarur”, tha Elezi.
Sipas afateve të miratuara nga KQZ, fushata zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë, e cila do të zgjasë 10 ditë e 7 orë, nuk do të fillojë menjëherë pas tërheqjes së shortit për numrat rendorë në fletëvotim.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që periudha e fushatës së zgjedhjeve për subjektet politike dhe kandidatët e certifikuar të fillojë më 28 maj dhe të përfundojë në orën 06:59 të mëngjesit të datës 7 qershor 2026”, tregoi ai.



