Zyrtare: Ilir Rexha i jep fund aventurës te FC Malisheva, 4 klube të Ligës së Parë shfaqin interesim për të

Futbollisti i talentuar Ilir Rexha ka njoftuar zyrtarisht largimin nga FC Malisheva, duke mbyllur kështu një kapitull shumë të rëndësishëm të karrierës së tij futbollistike.

Pas shumë vitesh me fanellën bardhekaltër, që nga grupmoshat U11 e deri te ekipet U19, U21 dhe debutimi me ekipin e parë, Rexha largohet si një nga lojtarët më të spikatur të akademisë së klubit.

“Jam krenar që pata privilegjin të jem golashënuesi më i mirë dhe kapiten i ekipit U19-U21 e deri te ekipi i parë, duke përjetuar momente të paharrueshme me këtë fanellë. Debutimi me ekipin e parë ishte një ëndërr e bërë realitet dhe një moment që do ta mbaj gjithmonë në zemër”, ka shkruar Rexha në mesazhin e tij lamtumirës.

Ai falënderoi drejtuesit e klubit, trajnerët, stafin, bashkëlojtarët dhe tifozët për mbështetjen ndër vite, duke theksuar se FC Malisheva do të mbetet gjithmonë pjesë e historisë së tij.

“Sot largohem me kokën lart, mirënjohës për gjithçka kam përjetuar këtu dhe i gatshëm për sfidat e reja që më presin”, u shpreh ai.

Sipas burimeve të afërta me lojtarin, Ilir Rexha tashmë ka oferta konkrete nga klube të Ligës së Parë dhe shumë shpejt pritet të vendosë për hapin e ardhshëm në karrierë.

Me cilësitë e tij si lider, kapiten dhe golashënues, Rexha shihet si një nga talentët premtues që mund të lërë gjurmë në futbollin kosovar në vitet e ardhshme.

Artikuj të tjerë

Back to top button