Dështimi i Qeverisë, Cakolli: Procesi politik është kthyer në një garë për fajësim

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka reaguar pas dështimit të formimit të Qeverisë së re.

Përmes një postimi në Facebook, Cakolli thotë se nuk është normale që shtatë muaj pas certifikimit të rezultateve, të arrihet në seancën kryesore, atë të votimit për Qeverinë – pa marrëveshje politike që garanton shumicën në Kuvend dhe pa vullnet të sinqertë për kompromis.

“Tanimë është e qartë se, gjatë gjithë kësaj kohe, problemet nuk kanë qenë ligjore apo kushtetuese, por pasojë e përdorimit të qëllimshëm të taktizimeve procedurale dhe të diskursit publik për të zvarritur procesin. Mungesa e stabilitetit institucional, rrezikimi i buxhetit dhe i kredibilitetit ndërkombëtar të Kosovës nuk janë shqetësime që lindën sot. Ato kanë qenë reale e të njohura prej muajsh – kohë kjo që u harxhua duke shmangur marrëveshjen politike dhe ndërtuar narrativën e viktimizimit”, ka shkruar tutje ai.

Mes tjerash, Cakolli thotë se në thelb, vendi gjendet në një fazë që ngjan më shumë me mospranim de facto të rezultateve zgjedhore, për shkak, sipas tij, të moskënaqshmërisë me to.

“Procesi politik është kthyer në një garë për fajësim, në prag të zgjedhjeve të reja që tashmë duken të pashmangshme – sepse nuk ekziston interes i vërtetë për një qeveri disa mujore, nga asnjëra palë. Këta muaj duhet të na mësojnë se demokracia nuk funksionon pa dialog, kompromis dhe respekt ndaj rezultateve, mbi bazën e të cilave pastaj sigurohet formimi dhe funksionimi normal i institucioneve”, ka shkruar Cakolli.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button