Java nis me rrebeshe, rrufe dhe borë në male, stabilizim i motit nga e mërkura – ja çfarë pritet të ndodhë

Reshjet intensive, të cilat filluan të dielën, do të vazhdojnë të jenë të pranishme deri në paraditen e së hënës. Rreth mesnatës ato parashihen të jenë në formë të rrebesheve lokale, të shoqëruara me disa shkarkesa rrufesh. Si pasojë e reshjeve të dendura, pritet të ketë edhe vërshime lokale në disa zona.

Gjatë ditës reshjet do të humbasin në intensitet dhe shtrirje territoriale, duke mbetur vetëm të izoluara në zona të caktuara. Përndryshe, moti do të karakterizohet nga alternime vranësirash dhe kthjellimesh.

Të martën, një tjetër front i ftohtë do të depërtojë në orët e mëngjesit, duke sjellë reshje të reja shiu, që lokalisht do të shoqërohen me disa shkarkesa rrufesh, ndërsa në zonat malore priten reshje bore.

Të reshurat parashihen të ndërpriten deri në mesditë, ndërsa më pas do të mbizotërojnë vranësira të pjesshme, përpara se të tërhiqen gradualisht gjatë pasditës.

Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme lokalisht në fillim të javës, me shpejtësi prej 15–55 km/h.

Nga e mërkura e deri në fundjavë, pritet mot kryesisht me diell, me përjashtim të së premtes dhe së shtunës, kur parashihet shtim i vranësirave dhe mundësi për reshje të pakta lokale.

Në aspektin termik, vlerat maksimale të temperaturave do të mbesin më të ulëta deri të martën, ndërsa nga e mërkura e tutje do të shënojnë ngritje graduale nga dita në ditë, si pasojë e masave të ngrohta ajrore me origjinë nga Afrika Veriore, të cilat pritet të fuqizohen gjatë javës.

Minimalet do të lëvizin nga 1 deri në 10°C, ndërsa maksimalet nga 11 deri në 20°C.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button