
Gjykata Supreme ka refuzuar ankesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës përmes së cilës kishte kërkuar të shpallen të paligjshme zgjedhjet komunale në Komunën e Junikut.
Supremja fillimisht e kishte kthyer në rivendosje në PZAP ankesën e AAK-së, pasi Paneli nuk e kishte shqyrtuar fare ankesën e partisë politike.
Me rastin e rivendosjes, PZAP e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e AAK-së, për çka një veprim i tillë është vërtetuar edhe nga Gjykata Supreme.
Sipas kolegjit të Supremes, pretendimet se në mënyrë të kundërligjshme janë lejuar ndryshimet e vendbanimeve mund të jetë objekt shqyrtimi i Prokurorisë për hetim të mundshëm në drejtim të elementeve të veprës përkatëse penale, por jo si parregullsi që lidhet me ditën e votimit.



