
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar si pozitiv Raportin e sivjetmë të Progresit të Komisionit Evropian, ndonëse në të përmendet se Kosova ka shënuar progres të kufizuar dhe në disa fusha stagnim.
Në një konferencë për media, Kurti tha se edhe pse vendi ka qenë me qeveri në detyrë, ekzekutivi i tij ka kryer “detyrat me sukses” dhe se orientimi strategjik i Kosovës mbetet anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
“Këtë vit, edhe pse kemi qenë qeveri në detyrë, raporti konstaton se kemi kryer detyrat me sukses. Integrimi në BE mbetet prioritet dhe strategjik për Kosovën. Raporti sivjet është pozitiv pothuajse në të gjitha fushat dhe ofron rekomandime aty ku ka ngecje. Këtë vit nuk ka pasur kthim prapa në asnjë fushë, ka progres në 35 fusha dhe ngecje vetëm në tri. Progresi varion nga i kufizuar në të përparuar. Orientimi ynë është i qartë – anëtarësimi në BE. Raporti konfirmon përkushtimin tonë për procesin e integrimit”, tha Kurti.
Shefi i ekzekutivit ka komentuar edhe kritikat që i janë drejtuar për, siç është thënë, përkeqësimin e marrëdhënieve me disa shtete partnere. Sipas tij, vetë raporti i Komisionit Evropian dëshmon të kundërtën.
“Ajo çka në opinionin publik te ne reflektohej si prishje e raporteve me jashtë, ky raport tregon se është progres në marrëdhëniet me jashtë. Në këtë drejtim, raporti thekson avancim të dukshëm dhe përparim në zbatimin e marrëveshjeve të tregut të përbashkët rajonal 2021–2024. Do të angazhohemi që rekomandimet e raportit të kthehen në zbatim”, deklaroi Kurti.


