Konjufca për mosvotimin e qeverisë nga ish-opozita: Kjo është një agjendë anti-shtetërore
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, derisa fliste në Këshillin e Përgjithshëm të partisë së tij, për këto zgjedhje ua hodhi tërësisht fajin partive që kanë qenë në opozitë.
“Gjysma e spektrit politik përdori çdo mjet të mundshëm që të mos ndërtohen institucionet vitale të shtetit, vetëm për ta argumentuar që Vetëvendosje nuk ka mundësi të ecë e vetme. Që të jemi deri në fund të sinqertë, qëllimi jonë nuk ka qenë kurrë të ecim vetëm”, tha Konjufca.
Ai shtoi se “verdikti i popullit nuk ishte që të ecim vetëm, por me partnerin tonë”.
“E bëmë ne edhe këtë me ftesat tonë, por u refuzuam. Refuzimi nuk është fundi i botës. Meqë u refuzuam pritëm që opozita ta bënte qeverinë, meqë ndodhi kjo. Numrat objektivisht ishin, por ata refuzuan ta bëjnë edhe qeverinë”, shtoi Konjufca.
Tutje ai tha se ish-opozita ka agjendë anti-shtetërore.
“LVV-në nuk e lanë, vetë nuk deshën ta bëjnë qeverinë, prandaj qytetarët me të drejtë pyesin, atëherë cka duan këta në të vërtetë. Ata vetëm duan të bllokojnë gjithçka ashtu që bllokimi i shtetit të fillojë të duket si dobësim i Vetëvendosjes. Kjo është një agjendë tepër e dëmshme dhe unë do të quaja anti-shtetërore”, tha ai.
Konjufca përgjatë gjithë fjalimit të tij akuzoi partitë që deri tani kanë qenë në opozitë.
Sipas tij, ato ishin në gjendje të “sakrifikojnë shtetin, vetëm që Kurti me dështu”.
“Për këtë qëllim ata na treguan se janë në gjendje të shkojnë deri në humnerë. Edhe nëse nuk ka buxhet e paga, nuk ka lidhje thonë ata, me rëndësi Albin Kurti me dështu. Kjo do të thotë me e sakrifiku shtetin që Albin Kurti me dalë keq. Shkurtëpamësi e mjerueshme dhe e paparë deri tash. Për krejt këtë maskaradë dhe përmes kësaj po mendojnë se kështu e rrisin mbështetjen në popull. E pabesueshme. Por shyqyr që jemi në demokraci”, u shpreh Konjufca.



