Vendimi i PZAP-it, Elezi (KQZ): Presim plotfuqishmërinë e vendimit për ta zbatuar

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se janë duke pritur plotfuqishmërinë e vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur procesin e votimit në hapësirat shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike.
Për Klankosova.tv, Elezi ka theksuar se ndaj vendimit të PZAP-it ekziston mundësia e ankesës në Gjykatën Supreme.
“PZAP ka marrë vendim për çështjen e Qendrave të Votimit në hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike dhe ndaj këtij vendimi lejohet ushtrimi i ankesës në Gjykatën Supreme. Si çdoherë, KQZ pret plotfuqishmërinë e vendimit, cilado qoftë, për ta zbatuar atë”, ka thënë Elezi.
Dje, Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa ka vendosur se votimi jashtë përfaqësive diplomatike të Kosovës është i kundërligjshëm.
Klan Kosova ka dërguar pyetje në adresë të KQZ-së qysh nga dita kur u mor vendimi se si është menduar organizimi sa i përket qerasë dhe çfarë kriteresh kanë caktuar qendrat e votimit jashtë përfaqësive.
Megjithatë, përgjigje në këto pyetje nuk ka pranuar deri të dielën në mbrëmje.



