Ferat Shala tërhiqet nga gara për deputet, fton për “frymëmarrje të re” në Partia Demokratike e Kosovës

Ferat Shala ka bërë të ditur se nuk do të jetë pjesë e listës së kandidatëve të Partia Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke e cilësuar këtë vendim si të parevokueshëm dhe të marrë pas një reflektimi të thellë politik.

Pas katër mandatesh si deputet në Kuvendi i Republikës së Kosovës, Shala thekson se ky hap nuk përbën tërheqje nga përgjegjësia politike apo nga idealet e PDK-së, por një kontribut për hapjen e rrugës për një brez të ri politikanësh me ide dhe energji të re.

Reagimi i tij:

PDK-së i duhet frymëmarrje e re, gjithmonë duke e ruajtur trashëgiminë dhe frymën autentike politike

Pas një angazhimi të gjatë politik, përkatësisht katër mandate si deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kam vendosur që të mos jem pjesë e listës së kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në zgjedhjet e ardhshme.

Ky është një vendim i parevokueshëm, të cilin e kam marrë pas një reflektimi të thellë mbi nevojat për ndryshim, që unë mendoj se i duhen partisë sonë.

Ky vendim nuk është aspak shmangie nga përgjegjësia politike, as nga idealet liribërëse dhe shtetndërtuese të PDK-së, me të cilat jam prirë gjatë gjithë rrugëtimit tim politik e institucional.

Përkundrazi.

Këtë vendim e marr si një akt që besoj se i shërben një qëllimi shumë më të madh se sa të qenit pjesë edhe e një legjislature parlamentare: krijimit të hapësirës për një brez të ri kuadrosh politikë, me energji të re, me ide reformatore, vizion më të qartë zhvillimor për të ardhmen e partisë sonë dhe rrjedhimisht edhe të vendit tonë.

Partia jonë, si një subjekt politik me rol qendror dhe historik në luftën për liri, në bërjen e paqes dhe në ndërtimin e shtetit të pavarur të Kosovës, ka nevojë të vazhdueshme për rilindje të brendshme; për rifreskim politik, për fuqizim idesh dhe vendimesh të reja.

Ka më shumë se pesë vjet që vendi ynë po përballet me një regres të përgjithshëm politik, ekonomik dhe institucional, i cili ka ndikuar në një zhgënjim të thellë qytetar, jo vetëm kundrejt klasës pushtetore.

Ngjarjet që pasuan pas dorëheqjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, kryetarit të PDK-së, z. Kadri Veseli, dhe dorëzimit të tyre në Hagë, më 5 nëntor të vitit 2020, prodhuan një realitet të ri, të paqartë, të ngarkuar me pasiguri dhe me shumë të panjohura për të ardhmen e vendit tonë.

Megjithatë, unë mbetem i bindur se kjo është vetëm një krizë kalimtare. Shoqëria jonë ka dëshmuar edhe në të kaluarën se di ta bëjë dallimin mes politikës iluzioniste – propagandistike që tingëllon mirë dhe asaj që është reale.

Në këtë kontekst, mendoj se skena politike dhe institucionale e Kosovës ka nevojë për më shumë energji; për angazhime dhe përgjegjësi të shtuara.

Besoj se sot, dhe në të ardhmen, PDK-ja duhet të jetë shumë më konkurruese dhe shumë më përfaqësuese në skenën politike kosovare.

Mendoj se në PDK duhet të krijohet hapësirë për një frymëmarrje të re politike, shumë më e thellë seç është tani. Një frymëmarrje që duke e ruajtur trashëgiminë dhe frymën autentike politike, të arrijë t’u përgjigjet me guxim dhe vizion sfidave të kohëve që po vijnë.

Besoj se PDK-së i duhet të marrë përgjegjësi për ta orientuar Kosovën drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e politik, drejt forcimit të demokracisë, ligjit dhe drejtësisë, konsolidimit të pozitës ndërkombëtare etj.

Gjatë këtij rrugëtimi, kam pasur nderin dhe privilegjin të mbaj përgjegjësi të rëndësishme institucionale, si deputet, ministër e zëvendësministër.

Për këtë dua të shpreh mirënjohjen time të thellë ndaj të gjithë kolegëve të mi në parti dhe në veçanti ndaj bashkudhëtarëve të kohëve të vështira, të luftës dhe shtetndërtimit: Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, pa të cilët filozofia e suksesshme politike e PDK-së, që lidhet me proceset kryesore historike të Kosovës; Lirinë, Pavarësinë dhe Shtetndërtimin, nuk do të kishte asnjë kuptim.

Angazhimi im në politikë, ndonëse në një formë apo tjetër ka qenë pjesë e gjithë jetës sime, ky angazhim ka pasur vetëm një qëllim: që shteti ynë të ecë përpara.

Çdo detyrë që më është besuar jam përpjekur ta kryej me nder, në shërbim të interesit publik, të përgjegjësisë shtetërore dhe të respektit ndaj qytetarëve votues.

Këto parime mbeten të pandryshuara; ato do të vazhdojnë të më udhëheqin në angazhimet e mia edhe në të ardhmen.

Vendimi im për mos kandidim, në listë për depute, nuk do të thotë aspak largim nga PDK-ja. Përkundrazi, unë do të vazhdoj të jem pjesë e strukturave të PDK-së, në Kryesi dhe Këshill Drejtues, ku do të jap kontributin tim sikur në çdo kohë dhe në çdo rrethanë.

Karrierën time profesionale e nisa si mësimdhënës në Drenicë, ndërsa do ta përfundoj si profesor në Universitetin e Prishtinës.

Në fund, më lejoni t’i falënderoj të gjithë burrat, gratë dhe rininë që më kanë qëndruar pranë dhe më kanë mbështetur gjatë gjithë këtij rrugëtimi, familjen time, e veçanërisht gruan dhe shoqen time Salën.

Falënderim të veçantë për bashkëluftëtarët, mbështetësit dhe votuesit e PDK-së, që mbështetja e të cilëve gjithmonë ka pasur vlerën më të madhe për mua.

Ju falënderoj përzemërsisht për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.

Me respekt, Ferat SHALA.

Artikuj të tjerë

Back to top button