“Sot u nis, se i kanë bo letrat kah Serbia”: Dalin komunikimet për rezervat shtetërore mes Rozeta Hajdarit, Ridvan Muharremit dhe zyrtarëve të MINT-it

Paparaci ka siguruar komunikime nga një grup privat në WhatsApp, ku ish-ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, sekseri i dyshuar i Rezervave Shtetërore, Ridvan Muharremi, si dhe dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), diskutonin për muaj të tërë procesin e blerjes së rezervave shtetërore.
Sipas dokumenteve dhe bisedave të siguruara, një dosje e klasifikuar si sekret shtetëror nuk trajtohej përmes procedurave zyrtare dhe kanaleve të sigurta të komunikimit, por në platformën ËhatsApp.
Bisedat, të zhvilluara mes marsit dhe qershorit të vitit 2022, zbulojnë rolin aktiv të Ridvan Muharremit në organizimin dhe koordinimin e furnizimeve për rezervat shtetërore. Muharremi, i njohur si biznesmen i afërt me pushtetin dhe me kryeministrin Albin Kurti, sipas komunikimeve, nuk ishte vetëm ndërmjetësues periferik, por person kyç në tërë procesin.
Në grupin privat, ku përfshiheshin Rozeta Hajdari, Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Kushtrim Dakaj, diskutoheshin çështje që lidhen me sigurimin e grurit, transportin, deponimin dhe kontaktet me operatorët ekonomikë.
Një pjesë e komunikimeve tregon se Muharremi kishte siguruar edhe hapësirën për deponimin e grurit të rezervave shtetërore.
“Për me e lon mallin e kom siguru ni ven për 200 kamiona…”, shkruan ai në grup, duke e njoftuar drejtorin e Departamentit të Rezervave Shtetërore, Hafiz Gara.
Vendndodhja e rezervave shtetërore konsiderohet informacion i ndjeshëm dhe mbrohet me ligj, pavarësisht klasifikimit formal si sekret shtetëror.
Komunikimet zbulojnë po ashtu se ish-ministrja Hajdari nuk kishte njohuri të plota për kompanitë që po kontraktoheshin për furnizim me grurë.
Në një moment ajo pyet zyrtarët:
“Me çka merret firma e Hamza Yatallay?”
Pasi informohet se kompania turke merrej me turizëm dhe ndërtim, Hajdari kërkon sqarime shtesë për origjinën e grurit dhe kompaninë furnizuese në Ukrainë.
Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, nga 10 mijë tonë grurë të porositura, një pjesë nuk kishte mbërritur kurrë, ndonëse pagesat ishin kryer nga ministria. Po ashtu, vaji dhe sheqeri të porositura në Poloni nuk ishin dorëzuar.
Në një tjetër komunikim në grupin privat, sekretari i MINT-it, Irfan Lipovica, pyet Muharremin nëse vaji do të arrinte të nesërmen.
“A na vjen vaji nesër?”, shkruan ai.
Muharremi përgjigjet se malli ishte nisur me vonesë për shkak të dokumentacionit dhe transitit përmes Serbisë.
“Sot o nis se i kan bo letrat kah Serbija,dje o dasht mu nis, o nis sot, ja kan dru, vjen kah Maqedonija”, thuhet në përgjigjen e tij në WhatsApp.
Përfshirja e Serbisë në transitin e mallrave për rezervat shtetërore përmendet drejtpërdrejt në komunikime, duke ngritur pikëpyetje shtesë rreth mënyrës së organizimit të furnizimeve dhe sigurisë së procesit.
Për aferën e Rezervave Shtetërore, Rozeta Hajdari, Ridvan Muharremi dhe dy zyrtarët e MINT-it po përballen me akuza nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare.
Sipas aktakuzës, dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit arrin në rreth tre milionë euro.
Raportimi i plotë në Paparaci.



