Këtë vit UP-ja pranon me kuotë studentë të rinj nga arbëreshët, shqiptarët e Turqisë dhe diaspora

Të rinjve nga komunitetet e arbëreshëve të Italisë dhe të Zarës, shqiptarëve të Turqisë dhe pjesëtarëve të diasporës me prejardhje nga Kosova, do t’u ofrohen kuota të vendeve të rezervuara për studim në Universitetin e Prishtinës.Këto kuota do të aplikohen për herë të parë në vitin akademik 2026/2027.

Vendimin për ofrimin e kuotave për këto komunitete e mori Senati i UP-së më 20.02.2026.

“Me vendim, nga 1% e vendeve të lira për studentët e rinj që do të pranohen çdo vit, do të jenë të rezervuara për kandidatët nga radhët e arbëreshëve të Italisë, arbreshëve të Zarës dhe shqiptarëve nga Turqia, ndërsa 2% e këtyre vendeve janë paraparë për diasporën me origjinë nga Kosova.”, shkruhet në njoftim. Sipas UP-së, këto kuotat i ka miratuar edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

“Universiteti i Prishtinës ka vende të rezervuara edhe për studentë nga komunitetet joshumicë dhe vendet fqinje të Kosovës.”, kanë shtuar në UP.

UP shprehet se kandidatët për këto vende të lira studimi do t’u nënshtrohen procedurave të pranimit të parapara me legjislacionin e Universitetit, në një proces të drejtë e transparent nga i cili do të përzgjidhen më meritorët.

UP thekson se ky institucion i arsimit të lartë është universiteti më i madh, më i vjetër e më i rëndësishëm i Kosovës dhe i rendituri më së larti në platformat prestigjioze ndërkombëtare nga të gjitha universitetet në gjuhën shqipe në Ballkanin Perëndimor dhe në botë. Në konkursin për pranimin e studentëve vitin e kaluar, Universiteti kishte njoftuar se mund të regjistrojë në nivelin Bachelor deri në 12% apo 679 studentë të rregullt nga komunitetet joshumicë. Kurse, 2% apo 116 kandidatë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, 117 kandidatë nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, 70 kandidatë nga Mali i Zi.

Artikuj të tjerë

Back to top button