“Majonezi, sosi, vezët” AUV me njoftim për rastin e helmimeve

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në përgjigje të rasteve të raportuara për dyshime të helmimit të qytetarëve në Prishtinë dhe Han të Elezit, ka ndërmarrë menjëherë kontrolle zyrtare emergjente për të mbështetur institucionet kompetente në identifikimin e shkaktarit të mundshëm dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

Në të dy lokacionet, inspektorët veterinarë të AUV-së kanë zhvilluar inspektime të jashtëzakonshme, gjatë të cilave janë kontrolluar kushtet higjieno-sanitare, procedurat e vetëkontrollit të operatorëve, dokumentacioni përkatës, gjurmueshmëria e produkteve dhe lëndëve të para, si dhe janë marrë mostra zyrtare për analiza laboratorike mikrobiologjike.

“Në rastin e Prishtinës janë marrë mostra të sosit të bardhë, qumështit dhe vezëve, ndërsa në Han të Elezit është marrë mostër e majonezës nga objekti i shërbimit. Mostrat janë dërguar në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë, ndërsa mostra e vezëve është dërguar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, sipas procedurave të përcaktuara”, thuhet në njoftimin e AUV-it.

Në njoftim po ashtu thuhet se analizat laboratorike janë në proces. Nërkaq pas përfundimit të tyre dhe vlerësimit të të gjitha provave të mbledhura gjatë kontrollit zyrtar, AUV do të përpilojë raportin përfundimtar dhe do të njoftojë publikun për rezultatet. Nëse konstatohen shkelje të legjislacionit në fuqi ose rrezik për shëndetin publik, do të ndërmerren pa vonesë masat administrative dhe ligjore ndaj operatorëve përgjegjës.

“AUV rikujton se siguria ushqimore është përgjegjësi e parë e operatorëve të biznesit ushqimor. Çdo operator ka detyrimin ligjor të respektojë kushtet e regjistrimit dhe autorizimit të veprimtarisë së tij, të prodhojë dhe të vendosë në treg vetëm ushqime të sigurta për konsum, të zbatojë sistemet e vetëkontrollit, të garantojë gjurmueshmërinë e produkteve dhe të sigurojë etiketim të saktë, të plotë dhe në përputhje me legjislacionin. Po ashtu, operatorët duhet të respektojnë me rigorozitet kushtet e ruajtjes, temperaturat e përcaktuara për secilin produkt dhe funksionimin e pandërprerë të zinxhirit të ftohjes, veçanërisht gjatë muajve të verës kur temperaturat e larta rrisin ndjeshëm rrezikun e prishjes së ushqimit”, thuhet në njoftim.

AUV u bën thirrje edhe qytetarëve që gjatë blerjes të kontrollojnë etiketimin, afatin e përdorimit dhe kushtet e ruajtjes së produkteve, ndërsa pas blerjes të sigurojnë transportin dhe ruajtjen e tyre sipas udhëzimeve të prodhuesit.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë do të vazhdojë kontrollet e intensifikuara në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Çdo rast i mosrespektimit të kërkesave ligjore do të trajtohet me vendosmëri, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.

Artikuj të tjerë

Back to top button