Mbyllet për pesë ditë një segment i rrugës “Afrim Zhitia” në Prishtinë

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se, për shkak të zhvillimit të punimeve infrastrukturore, do të mbyllet për qarkullim një segment i rrugës “Afrim Zhitia”, duke filluar nga mbrëmja e 15 korrikut.
Sipas njoftimit, Drejtoria e Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave do të realizojë punime në segmentin që shtrihet nga semaforët te Fakulteti Teknik deri te semaforët te Mensa e Studentëve, në anën e djathtë në drejtim të konvikteve.
“Për shkak të punimeve, ky segment rrugor do të mbyllet për qarkullim nga 15 korrik 2026, ora 20:00, deri më 20 korrik 2026, ora 20:00”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Komuna ka bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe qytetarët mund të shfrytëzojnë si rrugë alternative aksin “Xheladin Rekaliu” – “Edmond Hoxha”.
“Lusim të gjithë pjesëmarrësit në trafik për mirëkuptim dhe respektim të sinjalizimit të vendosur në terren, në mënyrë që punimet të zhvillohen në mënyrë sa më të sigurt dhe efikase. Faleminderit për mirëkuptimin!”, thuhet në njoftim.



