Kadri Veseli kërkoi lirim të përkohshëm nga Haga, Prokurorja West kërkon që ai të mbetet në burg

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kundërshtuar kërkesën e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për lirim të përkohshëm nga paraburgimi në Hagë.

Kryeprokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kimberly West, ka kërkuar që Veseli të vazhdojë të mbahet në paraburgim, duke argumentuar se ekzistojnë ende rreziqe për ndikim ndaj dëshmitarëve dhe pengim të procedurave gjyqësore.

Sipas West, caktimi i datës së shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë, më 16 shtator 2026, nuk përbën arsye për ndryshimin e masës së paraburgimit.

Ajo ka theksuar se periudha e mbetur deri në shpalljen e vendimit është e kufizuar dhe e nevojshme duke marrë parasysh kompleksitetin e çështjes dhe rëndësinë e akuzave.

“Së fundi, caktimi i shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë për 16 shtator 2026 nuk përbën ndryshim thelbësor të rrethanave që do të kërkonte rivlerësimin e vazhdimit të paraburgimit të Veselit ose që do ta bënte atë joproporcional. Përkundrazi, kjo konfirmon se paraburgimi do të vazhdojë vetëm edhe për një periudhë të kufizuar prej dy muajsh, aq sa konsiderohet rreptësisht e nevojshme duke pasur parasysh përmasat dhe kompleksitetin e çështjes, si dhe rëndësinë e akuzave të konfirmuara.

Duke marrë parasysh: (i) klimën e vazhdueshme të frikësimit dhe ndërhyrjes ndaj dëshmitarëve, si dhe vëmendjen e shtuar publike për shkak të afrimit të shpalljes së aktgjykimit; (ii) rreziqet e vazhdueshme që Veseli të pengojë zhvillimin e procedurës ose të kryejë vepra të tjera penale, të cilat janë trajtuar më sipër; (iii) pamundësinë që masat alternative ndaj paraburgimit t’i neutralizojnë këto rreziqe; dhe (iv) rrethanat specifike të çështjes, të cilat Trupi Gjykues i ka identifikuar edhe më herët, periudha e mbetur tashmë e kufizuar e paraburgimit nuk e bën atë joproporcional”, thuhet në letrën e West.

Artikuj të tjerë

Back to top button