
Një zjarr ka përfshirë gjatë natës shtëpinë e familjes Berisha në Zveçan, e cila ishte kthyer në pronën e vet pas 28 vitesh.
Policia ka nisur hetimet për zjarrvënie, ndërsa familja dyshon se zjarri ishte i qëllimshëm. Rasti është raportuar rreth mesnatës, ndërsa Policia dhe zjarrfikësit kanë intervenuar menjëherë në vendin e ngjarjes.
“Pas mesnate ka ndodhur një sulm kundrejt shtëpisë tonë. Kanë tentuar me na e djeg shtëpinë. Fatmirësisht pjesa më e madhe e shtëpisë ka shpëtuar, një pjesë e shtëpisë ka goxha një dëm. Kjo krejt kjo si pasojë e asaj që na nuk jemi 24 orë këtu. E kanë shfrytëzuar hapësirën, janë futë edhe kanë kryer këtë akt të ulët qyqar. Shtëpia ka qenë në pritje të fillimit të punimeve për renovim për me u kthyer, se siç e dini tashmë na jemi familja e parë shqiptare që jemi kthyer në këtë zonë. Dikund prej muajit mars na veç kemi filluar efektivisht me punuar, me u munduar me pastruar që sa më shpejt me u krijuar hapësira dhe mundësia që na me u vendosur këtu. E si duket kjo dikujt i ka penguar edhe me këtë akt të ulët mundohen me na intimiduar, me na frikësuar që na mos me vazhduar. Po kjo thjesht e forcon bindjen tonë që na jemi në rrugë të drejtë. Na jemi këtu për të drejtën tonë, atë që na takon, të kthehemi në pronën tonë, në shtëpinë tonë edhe kjo nuk është arsye që na me u ndalë”, ka thënë Zana Berisha, familjare.
Nga Policia bëjnë të ditur se kanë parë shenja të zjarrvënies.
“Pas mesnatës, ne kemi pranuar një informacion që një shtëpi në Zveçan është duke u djegur. Kemi shkuar në vendin e ngjarjes dhe kemi parë që një pjesë e një kulmi ishte dëmtuar dhe një dhomë ishte vënë zjarr, apo shenjat e zjarrvënies kemi parë. Dëmtimet nuk mund të jenë shumë të mëdha për arsye se shtëpia ka qenë e pabanuar. Si do që të jetë, policia është duke u marrë me këtë rast dhe jemi duke e hetuar këtë rast. Situata e sigurisë në veri të vendit është e qetë, është stabile. Vazhdon të jetë delikate për shkak të zhvillimeve politike dhe shumë prej veprimeve të tjera të cilat janë duke u ndërmarrë. Ju e dini që ne kemi pasur rastin që gjetëm trupa të vitit 1999. Krimet e luftës janë duke e hetuar rastin bashkë me Prokurorinë Speciale. Janë duke u bërë rrënimet e shtëpive, e shtëpive të vikendit kështu me quajtur, vilave rreth liqenit. Ka shumë aktivitete të tjera të cilat janë duke u zhvilluar në veri, mirëpo nuk është pengesë për policinë edhe nuk është pengesë për sigurinë. Janë rreziqe të pranueshme kështu me quajtur”, ka thënë Veton Elshani nga Policia e Kosovës.
Rasti është trajtuar nga njësitë përkatëse, ndërsa prokurori kujdestar ka kërkuar që të iniciohen hetimet për zjarrvënie.



