Komuna e Suharekës ndan 112 mijë euro për ndërtimin e çerdhes në Bllacë

Komuna e Suharekës ka përzgjedhur operatorin ekonomik që pritet të realizojë projektin për ndërtimin e çerdhes së re në fshatin Bllacë, një investim për të cilin vlera e parashikuar nga komuna ishte 120 mijë euro.

Sipas vendimit të Zyrës së Prokurimit të Komunës së Suharekës, të datës 7 gusht 2026, ofertues i suksesshëm është shpallur kompania “Olti Trasing” SH.P.K. nga Prishtina, me ofertë prej 112,272.57 euro. Në dokumentin e tenderit, kriteri për dhënien e kontratës ishte përcaktuar “çmimi më i ulët”.


Në këtë aktivitet të prokurimit kanë konkurruar gjithsej shtatë ofertues

Oferta e dytë më e ulët ishte ajo e “EdiBau-ing” SH.P.K. nga Prizreni, në vlerë prej 119,383.37 euro. Pas saj renditeshin HARST Group me 164,146.63 euro, TRIANGLE SH.P.K. me 165,165 euro, grupi i operatorëve Bajram Ha.Gashi B.I. dhe Smart Eng Group SH.P.K. me 168,074.23 euro, 2B Engineering me 175,175.75 euro dhe AAB Construction me 189,360 euro.

Nga dokumentet e vendimit rezulton se ofertat që tejkalonin vlerën e parashikuar prej 120 mijë eurosh janë refuzuar nga komisioni vlerësues pikërisht për këtë arsye.


Dosja e tenderit përcakton se projekti “Ndërtimi i çerdhes në fshatin Bllacë”, me numër prokurimi 624-26-4856-5-2-1, ka vlerë të parashikuar prej 120,000 eurosh dhe nuk është i ndarë në lote. Afati për realizimin e punimeve është 90 ditë kalendarike.

Sipas kushteve të kontratës, punimet duhet të fillojnë pesë ditë kalendarike pas nënshkrimit të kontratës, ndërsa të gjitha punët duhet të përfundojnë brenda 90 ditëve kalendarike.

Paramasa dhe parallogaria e projektit tregojnë se ndërtimi i çerdhes do të përfshijë një gamë të gjerë punimesh. Në pjesën ndërtimore janë paraparë punët përgatitore, gërmimet dhe zhavorri, betonimi dhe armimi, muratimi, suvatimi dhe ngjyrosja, termoizolimi dhe hidroizolimi, dyshemetë, qeramika, dyert dhe dritaret, fasada dhe kulmi.

Projekti parasheh gjithashtu pajisje dhe inventar për kuzhinën, rregullimin e hapësirave të jashtme dhe fushëlojave për fëmijë, si dhe punimin e rrethojës metalike të parcelës.Në pjesën elektrike janë përfshirë furnizimi dhe shpërndarja elektrike, ndriçimi, prizat dhe ndërprerësit, sistemi i alarmit kundër zjarrit, instalimet e teknologjisë informative dhe CCTV, si dhe sistemi i tokëzimit dhe rrufepritësit.Paramasa përmban edhe punimet e ujësjellësit dhe kanalizimit, hidrantët e brendshëm dhe të jashtëm, pajisjet sanitare, kanalizimin atmosferik dhe drenazhimin.

Në instalimet e makinerisë është paraparë, ndër të tjera, sistemi i ngrohjes nën dysheme dhe ventilimi i kuzhinës.Dosja e tenderit përcakton gjithashtu një periudhë garantuese prej 365 ditësh për defektet pas realizimit të projektit.Megjithatë, vendimi i 7 gushtit nuk nënkupton ende përfundimin definitiv të procedurës.

Në letrën drejtuar ofertuesit të suksesshëm sqarohet se dhënia e kontratës është e përkohshme dhe nuk përbën marrëveshje kontraktuale deri në përfundimin e periudhës gjatë së cilës ofertuesit e pasuksesshëm kanë të drejtë të kërkojnë shqyrtimin e vendimit.Nëse procedura përfundon pa ndryshime dhe kontrata nënshkruhet, kompania e përzgjedhur do të ketë 90 ditë kalendarike për realizimin e çerdhes së re në Bllacë.

Artikuj të tjerë

Back to top button