
Banorët e fshatit Kliçinë të Pejës i janë drejtuar me peticion Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit lidhur me projektin e segmentit rrugor Dollc–Zahaq.
Sipas kërkesës banorët kërkojnë që në kuadër të projektit të përfshihet ndërtimi i një rrethrrotullimi në hyrje të fshatit Kliçinë, si dhe ndërtimi i një mbikalimi për këmbësorë me mbulesë, veçanërisht për sigurinë e rreth 400 nxënësve që ndjekin mësimin në shkollën e fshatit.
Banorët thonë se të njëjtën kërkesë ia kanë adresuar edhe kompanisë mbikëqyrëse të projektit, Instituti Konsulencës Ndërtimit SH.P.K., më 20 korrik 2026, por pretendojnë se nuk kanë marrë përgjigje.
Për këtë arsye, ata i kërkojnë Ministrisë që ministri në detyrë i Infrastrukturës të vizitojë fshatin Kliçinë, të takohet me banorët dhe të japë një afat të qartë për realizimin e kërkesave.
Banorët paralajmërojnë se, nëse kërkesat vazhdojnë të injorohen dhe nuk ndërmerren veprime konkrete brenda një afati të arsyeshëm, do të ndërmarrin forma të tjera të reagimit.



