
Në fjalën përfundimtare në rastin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Hajredin Kuçit dhe Isni Kilajt, mbrojtja e Kilajt ka argumentuar se veprimet e klientit të tyre nuk dëshmojnë synim për pengimin e drejtësisë.
Avokati Ian Edwards tha se provat e Prokurorisë janë të pabaza dhe se ato kanë pak gjasa të çojnë në shpalljen fajtor të Kilajt. Ai kundërshtoi gjithashtu vlefshmërinë e incizimeve të fshehta dhe saktësinë e transkripteve të tyre.
Sipas mbrojtjes, pas vizitës së Kilajt te Hashim Thaçi në Hagë, ai nuk ka kontaktuar apo takuar asnjë dëshmitar, çka, sipas tyre, tregon mungesën e synimit për pengim të drejtësisë.
Ndërkaq, avokati Joe Holmes kritikoi Prokurorinë për pretendimin se Kilaj kishte rënë dakord për një tentativë për pengim të drejtësisë. Sipas tij, një pretendim i tillë nuk qëndron juridikisht dhe nuk është shpjeguar mjaftueshëm baza ligjore mbi të cilën mbështetet akuza.
Holmes iu referua edhe nenit 21 të Kodit Penal të Kosovës, duke argumentuar se për një marrëveshje për kryerjen e veprës penale kërkohen synimi dhe njohuria, ndërsa Prokuroria, sipas tij, nuk ka arritur ta shpjegojë këtë lidhje në rastin e Kilajt.
Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.
Po atë ditë (27 shkurt 2026), nisi dëshminë edhe dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore, i cili ishte me masa mbrojtëse. Dëshmia e tij përfundoi më 2 mars 2026.
Më 3 dhe 4 mars 2026 dëshmoi dëshmitari i dytë Koen Herlaar- ekspert i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës. Po më 4 mars nisi dëshminë dëshmitari i tretë, Chrisopher Kelly- hetues i forenzikës digjitale. Ky dëshmitar e përfundoi dëshminë më 5 mars. Ndërsa, si dëshmitare e mbrojtjes së Thaçit dëshmoi ekspertja e transkriptimit në fushën e kriminalistikës, Helen Fraser. Ajo dëshmoi mç 11 dhe 12 maj 2026.
Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.


