Patatinat Vipa të Pestovës tërhiqen nga tregu në Slloveni, autoritetet zbulojnë alergjen të qumështit

Një produkt i kompanisë kosovare “Pestova LLC” është tërhequr nga tregu në Slloveni, pasi gjatë një kontrolli zyrtar është konstatuar prania e proteinave të qumështit, të cilat nuk ishin deklaruar në etiketën e produktit.

Bëhet fjalë për produktin “Vipa Flips Ketchup”, 60 gramë, me origjinë nga Kosova.

“Gjatë kontrollit zyrtar, Administrata për Sigurinë Ushqimore, Veterinarinë dhe Mbrojtjen e Bimëve ka marrë një mostër të produktit ushqimor, në të cilën është konstatuar prania e proteinave të qumështit, të cilat nuk janë deklaruar në etiketën e produktit”, thuhet në njoftimin e autoriteteve sllovene.

Sipas tyre, prania e proteinave të padeklaruara të qumështit paraqet rrezik për personat alergjikë ndaj këtyre proteinave.

“Ky produkt paraqet rrezik të papranueshëm për shëndetin e fëmijëve dhe të rriturve me alergji ndaj proteinave të qumështit”, thuhet në njoftim.

Si masë, produkti është tërhequr nga tregu.

Konsumatorëve që kanë alergji ndaj proteinave të qumështit u bëjmë thirrje që të mos e përdorin dhe konsumojnë këtë produkt”, thuhet më tej në njoftimin e autoriteteve sllovene.

Ndërkaq, autoritetet sllovene sqarojnë se produkti nuk paraqet rrezik për konsumatorët që nuk janë të ndjeshëm ndaj proteinave të qumështit.

Produkti është i sigurt për konsumatorët e zakonshëm, pra për ata që nuk janë të ndjeshëm ndaj proteinave të qumështit”, thuhet në njoftim.

Autoritetet kanë identifikuar dy lote të produktit, me afate përdorimi deri më 11 shkurt 2027 dhe 7 mars 2027.

Prodhues i produktit është Pestova LLC nga Kosova, ndërsa produkti është shpërndarë në Slloveni nga Dah Group d.o.o. – PE Balkan Market Dina H, Maribor.

Artikuj të tjerë

Back to top button