
KosovaMed ka zhvilluar një takim të përbashkët me menaxherët dhe koordinatorët e saj, ku në fokus ishte udhëheqja në situata të vështira, siguria psikologjike dhe menaxhimi i konflikteve në ekip.
Në kuadër të takimit u mbajt ligjërata me temën “Udhëheqja në situata të vështira – Siguria psikologjike dhe menaxhimi i konflikteve në ekip”, e udhëhequr nga psikologia klinike Greta Imeri.
Gjatë ligjëratës u diskutua për komunikimin në vendin e punës, mirëqenien e punonjësve, mënyrat e menaxhimit të konflikteve dhe krijimin e një ambienti ku anëtarët e ekipit ndihen të dëgjuar, të respektuar dhe të sigurt për të shprehur mendimet e tyre.
“Një organizatë e fortë nuk ndërtohet vetëm me procese dhe rezultate ndërtohet me njerëz, besim dhe respekt të ndërsjellë”, u theksua gjatë aktivitetit.
Sipas KosovaMed, takimi kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e mëtejshëm të ekipit përmes komunikimit dhe udhëheqjes së përgjegjshme.
Në përfundim të takimit, organizata ndau mirënjohje për koordinatorët, menaxherët dhe bashkëpunëtorët, si vlerësim për kontributin e tyre.
“Faleminderit për një kontribut të madh”, ishte mesazhi i përcjellë për anëtarët e ekipit.
KosovaMed ka falënderuar veçanërisht psikologen klinike Greta Imeri për profesionalizmin, energjinë dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm, ndërsa ka vlerësuar kontributin e secilit anëtar të ekipit në zhvillimin e organizatës.
“Krenohemi me atë që ndërtojmë së bashku”, thuhet në mesazhin përmbyllës të KosovaMed.



