Prokuroria e Prizrenit kërkon paraburgim për dy të dyshuarit për kultivimin e mbi 500 kg marihuanë në Suharekë

Dy persona me inicialet M.A. dhe B.A. po dyshohen për përfshirje në kultivimin dhe përpunimin e kanabisit në fshatin Maqitevë të Suharekës. Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, arrestimet janë realizuar pas hetimeve lidhur me rastin e shtatorit të vitit 2025, kur në një objekt blegtoral në zonën malore të Maqitevës u zbuluan mbi 500 kilogramë marihuanë.

Të dyshuarit, sipas organit të akuzës, dyshohet se në bashkëpunim me personin me inicialet F.N. kanë kultivuar kanabis me qëllim të përpunimit të tij për shitje dhe shpërndarje në treg.

Gjatë operacionit të zhvilluar më 16 shtator 2025, autoritetet kishin sekuestruar, përveç sasisë së madhe të narkotikëve, edhe armë dhe municion, përfshirë një granatahedhës, një raketë krahu, një pushkë gjuetie dhe fishekë.

Në mesin e gjësendeve të sekuestruara ishin edhe një traktor me rimorkio, pajisje dhe mjete pune që dyshohet se shërbenin për kultivimin dhe përpunimin e substancave narkotike, si dhe pajisje kompjuterike.

Në kuadër të hetimeve për këtë rast, Prokuroria kishte nxjerrë gjithashtu urdhër të përkohshëm për sekuestrimin ose ngrirjen e dy parcelave në fshatin Maqitevë.

Përveç dyshimeve lidhur me narkotikët, të dy personat po hetohen edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Gjatë kontrollit të shtëpisë së M.A., më 26 tetor 2026, është gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjysmëautomatike së bashku me shtatë fishekë. Ndërkaq, gjatë kontrollit të pronës së B.A. në shtator të vitit 2025, ishte sekuestruar një pushkë gjuetie me një tytë.

Prokuroria ka kërkuar caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarve, ndërsa procedurat penale lidhur me rastin janë në zhvillim e sipër.

Artikuj të tjerë

Back to top button